Një shqiptar, i identifikuar si Armando Beqiri u qëllua për vdekje në prag të shtëpisë së tij në rrugën Raudagerdi, Rajkjavik në mesnatën e së shtunës.
Shqiptari, la pas një grua shtatzënë dhe një fëmijë të vogël, të cilët ishin në shtëpi në momentin kur u qëllua. Krimi dyshohet të ketë ndodhur për shkak larje hesapesh për çështje droge.
Shumë banorë u pyetën në lidhje me ngjarjen, por asnjëri prej tyre nuk raportoi se kishte dëgjuar të shtëna armësh. Ata nuk vunë re asgjë anormale derisa policia u shfaq rreth mesnatës. Shtëpia, jashtë së cilës u gjet trupi i pajetë, u shit në fund të vitit të kaluar. Fqinjët thanë se që prej asaj kohe ka pasur shumë lëvizje të dyshimta në shtëpi, por askush nuk e dinte se kush e ka blerë.
Nëse krimi rezulton të jetë i lidhur me bandat, ekziston frika se kjo do të përgjigjet me hakmarrje, tha kriminologu Helgi Gunnlaugsson.
Për këtë krim janë arrestuar tre persona, një islandez dhe dy të huaj që qëndronin në një shtëpi verore. Nuk dihet nëse ata janë vënë në pranga në cilësinë e dëshmitarëve apo autorëve. Ndërsa një 40-vjeçar lituanez dyshohet të jetë autori i krimit.
Kush është viktima?
Viktima është identifikuar si Armando Beqiri. Ai mbërriti në Islandë në ditën e dytë të Krishtlindjes në vitin 2014, mësoi gjuhën, takoi një grua dhe u martua, pati një fëmijë dhe po priste një tjetër. E fejuara e tij tani është 24 javëshe.
Armando kishte një kompani sigurie dhe ishte gjithashtu një mbështetës i fortë i ekipit kombëtar Islandez.
Pak para mesnatës, Armando parkoi makinën e tij në garazh, dhe në të njëjtën kohë kur po ecte për tek dera e përparme e shtëpisë, besohet se një makinë ishte atyre pranë dhe e qëlloi për vdekje shqiptarin. Sipas burimeve të Mannlíf, plumbat goditën Armandon në shpinë, qafë dhe kokë. Në vendin e ngjarjes, Armando u gjet i shtrirë në gjak dhe u shpall i vdekur pasi u dërgua në spital.
Top Channel