E zhdukur prej një viti/ Rishfaqet në publik bashkëshortja e Kim Jong Un

17/02/2021 19:47

Bashkëshortja e liderit koreano verior Kim Jong Un, është shfaqur në publik për të parën herë në më shumë se një vit, sipas mediave shtetërore.

Ri Sol-ju iu bashkua të shoqit në një koncert të martën për të shënuar ditëlindjen e babait të ndjerë të tij, ish liderit Kim Jong Il.

Ri, ka shoqëruar shpesh Kim në evente të mëdha në të shkuarën, por nuk ishte parë që prej janarit të vitit të kaluar. Mungesa e saj kishte çuar madje edhe në spekulime për shëndetin ose një shtatzëni të mundshme.

Shërbimi i inteligjencës i Koresë së jugut, kishte thënë ndërkohë një ditë më parë se Ri po evitonte daljen në publik për shkak të shqetësimeve për koronavirusin dhe se mund të ishte duke kaluar kohë me fëmijët e saj. Koreja e veriut nuk ka raportuar zyrtarisht asnjë rast koronavirusi, edhe pse ekspertët thonë se kjo është thuajse e pamundur.

Sipas mediave vendase, çifti hyri në teatrin Mansdudae, së bashku të martën, duke u pritur me duartrokitje. Fotot tregonin çiftin duke qeshur por edhe pa maska dhe pa masa të distancimit social.

 

 

 

Top Channel