Një vendim i momentit të fundit për të anuluar rihapjen e resorteve të skive në Itali, ka ndezur zemërim dhe rebelim kundër kufizimeve në vend.
Sezoni i skive në Itali duhej të niste të hënën, por hapja u shty nga ministria e Shëndetësisë, deri në 5 mars, në mesin e shqetësimeve për përhapjen e varianteve të koronavirusit.
Vendimi i momentit të fundit ishte bazuar në një raport nga një institut i lartë shëndetësor që tregon se varianti britanik i koronavirusit zë 17.8 për qind të infektimeve të reja në Itali. Varianti është identifikuar në të paktën 13 nga 20 rajonet e Italisë. “Shqetësimet për përhapjen e këtij varianti, dhe të tjerëve, kanë bërë që masa të ngjashme të ndërmerren edhe në Francë dhe në Gjermani”, tha Ministria. Zemërimi ka qenë i madh ndaj vendimit që erdhi një ditë pasi qeveria e re e kryesuar nga Mario Draghi, bëri betimin, ndërkohë që resortet kishin planifikuar rihapjen për këtë javë.
“Kjo është absurde. Nuk mund të thuash vetëm katër orë përpara që pistat do të jenë të mbyllura. Kam 20 ditë që përgatitem për rihapjen, bashkë me familjen. Dhe ne ishim gati. Sot do të paraqiteshin në punë edhe të gjithë punonjësit, por nuk ndodhi kështu”- shprehet Renato Antonioli.
Sezoni i skive është një burim i rëndësishëm financiar për Italinë dhe shumë fshatra përreth rajoneve malore në veri dhe në qendër të vendit varen tek ai për mbijetesë. Zyrtarët përllogarisin se humbja ekonomike për sektorin dhe biznesin e lidhur me të, është rreth 10 miliardë euro. Roberto Speranza, që është rikonfirmuar ministër shëndetësie nga Draghi, tha se bizneset e prekura do të kompensohen së shpejti. Disa resorte sidoqoftë, e sfiduan vendimin dhe i rihapën resortet të hënën.
Top Channel