Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, përcolli një mesazh mbështetës të vendit të tij për kryeministrin e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut (KRG) Masrour Barzani menjëherë pas sulmeve me raketa në Erbil.
Në një deklaratë në lidhje me sulmet me raketa në Erbil, Blinken ka thënë se ndihen “të zemëruar” nga incidenti.
Blinken njoftoi se, sipas hetimeve paraprake, një pjesëtar civil i personelit të kontraktuar ka humbur jetën në sulm, ndërsa disa pjesëtarë të tjerë, përfshirë edhe një ushtar amerikan, janë plagosur.
Blinken shprehu ngushëllimet e tij për të afërmit e viktimave që humbën jetën dhe u përcolli mbështetjen e tij familjeve irakiane që vuajtën nga sulmet.
“Ne biseduam me kryeministrin Masrour Barzani për të përcjellë mbështetjen tonë në përpjekjet e tij për të hetuar sulmin dhe për të kërkuar autorët përgjegjës”, tha Blinken në deklaratën e tij.
Forcat e koalicionit të formuara kundër DAESH-it nën udhëheqjen e SHBA-së njoftuan se një pjesëtar i kontraktuar u vra dhe pesë të tjerë dhe një ushtar amerikan u plagosën në sulmin në aeroportin e Erbilit.
Kryeministri irakian Mustafa al-Kadhimi ka udhëzuar autoritetet përkatëse të nisin hetim në lidhje me sulmin.
Top Channel