7 raste të konfirmuara dhe 3 vdekje, të parat pas 5 vitesh, kanë vënë në alarm autoritetet shëndetësore të Guinesë. “ Jemi përpara një pandemie”, deklaroi shefi i Agjencisë të Shëndetit të Guinesë, Sakoba Keita.
Hetimet fillestare treguan se fillimisht një infermiere ishte prekur nga sëmundja e kishte ndërruar jetë. Pas ceremonisë së varrimit të saj, 6 persona të tjerë rezultuan të infektuar; dy prej tyre vdiqën e katër të tjerët përfunduan në spital. Reagimi i OBSH-së ishte i menjëhershëm.
“E shohim me shqetësim të jashtëzakonshëm rishfaqjen e Ebolës në Guine, në vend që ka vuajtur shumë prej kësaj sëmundjeje në të shkuarën”, tha Dr Matshidiso Moeti, drejtor rajonal i OBSH-së për Afrikën. Guinea ishte një shtetet më të goditura nga epidemia e Ebolës, nga viti 2013 deri në 2016. Organizata Botërore e Shëndetësisë tani premton se do të dorëzojë në kohë rekord vaksinat kundër virusit të tmerrshëm. Sipas krerëve të kësaj organizate, studimet në lidhje me këtë virus kanë përparuar shumë dhe kjo tregon se ka dritë në fund të tunelit. Gjatë një konference për shtyp në Gjenevë, profesori George Ki-Zerbo bëri të ditur se do të dërgohen menjëherë vaksina. Rastet e fundit u zbuluan në rajonin e Nzerekores, vendi i origjinës i virusit vdekjeprurës nga u përhap epidemia e Ebolës në 2013, e cila mori jetën e më shumë se 11.300 personave kryesisht në kontintentin afrikan.
Top Channel