Ngrica në të gjithë vendin/ Pse është kaq ftohtë këto ditë në Teksas?!

15/02/2021 18:16

Texasi është i njohur për shkretëtirat dhe të nxehtin karakteristik, por tani, është i mbuluar me një shtresë të trashë akulli.

Shteti po përjeton disa nga temperaturat e tij më të ftohta në më shumë se 30 vjet, me disa zona që thyejnë rekorde mbi një shekullore.

Pjesë të Teksasit arritën 0F (-18 gradë Celsius) të dielën dhe moti i ftohtë paralajmërohet të vazhdojë në vend gjatë gjithë javës. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit të SHBA-së, kemi të bëjmë me një “shpërthim Arktik” që filloi pikërisht mbi kufirin SHBA-Kanada, duke sjellë një stuhi dëbore si dhe rënie të ndjeshme të temperaturave.

Temperaturat në qytetin e Dallasit për shembull arrijnë 14F (-10 gradë Celsius) sot, kur sipas normales duhet të ishin rreth 59F (15 gradë Celsius) në këtë kohë të vitit.

Për herë të parë në shtetin amerikan, të gjitha 254 qarqet janë nën paralajmërim për stuhi dimri, raportojnë mediat amerikane. Temperatura në Dallas është tashmë më e ftohtë se në Anchorage apo Alaska, raporton CBS News.

Në një deklaratë të dielën në mbrëmje, presidenti Joe Biden shpalli një emergjencë për Teksasin. Turbinat e erës që prodhojnë energjinë atje, kanë ngrirë duke përgjysmuar rendimentin e prodhimit të energjisë.

“Semaforët dhe infrastruktura tjetër mund të jenë përkohësisht pa energji”, thanë autoritetet. Po ashtu, iu është kërkuar konsumatorëve të zvogëlojnë përdorimin e energjisë elektrike.

Gati 120 aksidente me makinë u raportuan të dielën, tha shefi i zjarrit në Hjuston, Samuel Peña. Qindra fluturime brenda dhe jashtë shtetit janë anuluar gjithashtu. Kjo gjendje meteorologjike tashmë është bërë vdekjeprurëse. Të enjten, rrugët e akullta çuan në një përplasje masive duke përfshirë më shumë se 100 automjete në Fort Worth, duke vrarë gjashtë vetë dhe duke lënë dhjetra të tjerë të plagosur.

Paralajmërimet e motit për kushte të rënda dimërore do të qëndrojnë në vend të paktën deri të martën.

FOTO GALERI
1/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA