Futbolli shqiptar këtë fundjavë regjistroi një episod shumë të shëmtuar dhe protagonist u bë sulmuesi i Lacit, Kirian Nwabueze.
Në sfidën mes Bylisit dhe Lacit, futbollisti e humbi krejtësisht toruan duke goditur me grusht kundërshtarët e tij, një gjest që solli një degjenerim të situatës ku futbollistë të të dyja skuadrave e kthyen fushën e futbollit në një ring boksi ku mbeti i gjakosur zv/trajneri i Bylisit, bekim Kuli.
Padyshim që ky episod do të diskutohet në mbledhjen e së mërkurës në Komisionin e Disiplinës së Federatës Shqiptare të Futbollit dhe pritet që dënimi ndaj sulmuesit të Lacit të jetë shumë i ashpër. Sipas Kodit të Disiplinës në FSHF, protagonistët në sherrin masiv të Ballshit pritet të dënohen nga 5 ndeshje deri në 6 muaj pezullim dhe Nwabueze sigurisht do të jetë ai që do të marrë dënimin më të rëndë pasi ishte ai që e krijoi të gjithë këtë situatë të shëmtuar. Në Nenin 47 të këtij kodi që flet për sjelljen e keqe ndaj rivalëve, në pikën ‘c’ flitet për një ndëshkim për të paktën 6 muaj sidomos nëse përdoret dhunë fizike duke shkaktuar dëmtimin e rëndë të lojtarit kundërshtar”. Në këtë nen është edhe pika ‘e’ ku flitet për dënim me të paktën 5 ndeshje pezullim për sulm ose dhunë ndaj kundërshtarëve ose cdo personi tjetër përvec zyrtarit të ndeshjes.
Ndërsa pritet vendimi i Komisionit të Disiplinës Sportive, Laci ka marrë masat e tij ndaj Nwabuezes duke e pezulluar përkohësisht për një kohë të pacaktuar. në një komunikatë për shtyp, Laçi thekson se veprimet e futbollistit të tij janë të papranueshme dhe se në një vendim të dytë do të merren edhe masa të tjera ndaj tij.
Top Channel