Senati shfajëson Trump/ Ish-presidenti i mbijeton gjykimit për të dytën herë

14/02/2021 13:15

Senati amerikan votoi të shtunën për ta shpallur të pafajshëm ish-presidentin, Donald Trump nën akuzën për nxitje rebelimi të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve.

Senati votoi me 57 vota për ta shpallur ish-presidentin fajtor dhe 43 jo fajtor. Meqenëse në një gjyq në Senat kërkoheshin 67 vota, ose dy të tretat për fajësimin, ish-presidenti Trump u shpall i pafajshëm. Shtatë republikanë u shkëputën nga radhët e grupit të tyre dhe votuan pro fajësimit. Është hera e dytë në 12 muaj që Trump i mbijeton një gjyqi në Senat kundër tij. Demokratët synonin që ai të mos lejohej të kandidonte përsëri për një post publik. Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, prandaj ishte e qartë se ngritja e akuzës për nxitje rebelimi kundër tij nuk do të përdorej dot për heqjen e tij nga detyra.

Por demokratët kishin shpresuar që, duke e shpallur atë fajtor ta mbanin atë përgjegjës për sulmin në Capitol që la pesë të vdekur, përfshirë një oficer policie dhe të përgatisnin terrenin për ta ndaluar atë që të shërbejë përsëri në një post publik.

“Nuk ka dyshim që Presidenti Trump është praktikisht dhe moralisht përgjegjës për provokimin e ngjarjeve të asaj dite. Njerëzit që sulmuan këtë ndërtesë besonin se po vepronin në bazë të dëshirave dhe udhëzimeve të presidentit të tyre”, tha McConnell.

Drama në Senat u zhvillua në sfondin e ndarjeve të thella në linja politike, në planin racor dhe socio-ekonomik, ndërkohë që vendi është goditur rëndë nga pandemia. Gjyqi solli një luftë të mëtejshme partiake, edhe pse Presidenti demokrat Joe Biden, i cili mori detyrën në 20 janar ka premtuar shërim dhe unitet pas katër viteve të trazuara të paraardhësit të tij në pushtet dhe një fushate elektorale të tensionuar.

 

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA