“Nuk ka vija të kuqe për asnjë”/ ​Haradinaj: Çështja e presidentit varet nga forcat politike

14/02/2021 21:30

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj është paraqitur në konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve dhe rezultateve preliminare që e rendisin këtë parti në vendin e katërt.

Haradinaj gjithashtu ka thënë se rezultatet e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje fituese dhe ka uruar këtë subjekt dhe partitë e tjera për rezultatet e deritanishme.

“Ajo çka shohim për Aleancën 90% të votave të numëruara nga KQZ është një rezultat rreth 10%, përputhet edhe me parashikimet tona të pritjeve. E dimë që ky proces kaq i lirë tani ndodhet në përgjegjësinë e komisioneve dhe vëzhguesve dhe kërkojmë që të mos dëmtohet një proces kaq i mirë i zgjedhjeve pasi të ruhet vota të ketë përgjegjësi maksimale nga komisionarët dhe vëzhguesit”, tha Haradinaj.

Ai tha se Kosova nuk duhet të humbë kohë në formimin e institucioneve. Haradinaj tha se duhet pritur rezultatin deri në fund, meqë sipas tij exit-pollet kanë shpërputhje. Ai ka përsëritur se nuk kanë vija të kuqe për asnjë parti, përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje.

KosovaPress ka pyetur liderin e Aleancës se a pret të arrijë të marrë postin e presidentit, për çka edhe ka garuar në këto zgjedhje, marrë parasysh rezultatet e deritanishme dhe Haradinaj ka shprehur qëndrimin e tij se është i interesuar të arrijë bashkëpunim me ata që sipas tij duhet te krijojnë dy të tretat.

“Varet prej vullnetit të forcave politike a janë të interesuara për një bashkëpunim për t’i krijuar dy të tretat, nuk është proces i lehtë. Ne jemi të interesuar të arrijmë një bashkëpunim me forcat politike që dëshirojnë t’i arrijnë dy të tretat për të pasur Kosova institucione të qëndrueshme”, tha ai.

Haradinaj tha se fituesit e kanë përgjegjësinë për të krijuar shumicën me dy të tretat. Ai shtoi se do të presin rezultatin përfundimtar për të vepruar tutje.

Top Channel