Në Mianmar kundërshtarët e puçit ushtarak mbajtën protesta masive të shtunën për të tetën ditë me radhë. Arrestimet e vazhdueshme të kritikëve të juntës kanë rritur zemërimin mes protestuesve.
Mijëra vetë dolën në rrugët e kryeqytetit të vendit Naypyitaw, e qytete të tjera një ditë pas protestave më të mëdha që kanë përfshirë vendin deri më tani. “Ndaloni rrëmbimet gjatë natës”, shkruhej në një prej pankarteve që mbanin në duar protestuesit në përgjigje ndaj arrestimeve të ditëve të fundit.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut njoftoi të premten se më shumë se 350 persona, përfshirë zyrtarë e aktivistë, janë arrestuar në Mianmar që nga grushti i shtetit i një shkurtit. Disa të arrestuar po përballen me akuza penale të ngritura mbi “motive të dyshimta”. Zemërimi në Mianmar është ndezur pas shfaqjes së pamjeve filmike që tregojnë arrestimin e më shumë kritikëve të qeverisë, mes tyre një mjek që ishte pjesë e lëvizjes për mosbindje civile. Disa arrestime kanë ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes.
Qeveria nuk iu përgjigj kërkesave të medias për komente lidhur me arrestimet. Situata ka nxitur shqetësimin e shoqatës në Ndihmë të të Burgosurve Politikë.
“Anëtarët e familjeve nuk kanë dijeni mbi akuzat, vendndodhjen ose gjendjen e të afërmve të tyre. Këto nuk janë incidente të izoluara dhe bastisjet gjatë natës kanë si objektiv zërat kundërshtarë. Kjo po ndodh në të gjithë vendin”, thuhej në një deklaratë të kësaj shoqate. Ushtria ka bërë të ditur se ka marrë pushtetin për shkak të asaj që pretendon se ishte manipulim i zgjedhjeve të nëntorit të cilat u fituan me një shumicë dërrmuese nga partia Lidhja Kombëtare për Demokraci. Pretendimet e ushtrisë janë hedhur poshtë nga komisioni zgjedhor i Mianmarit./VOA
Top Channel