Pas indinjatës që shkaktuan përfundimet e vizitës së ekipit të saj të ekspertëve në Wuhan të Kinës, OBSH u tërhoq duke thënë se të gjitha hipotezat mbi origjinën e virusit mbeten te hapura.
Drejtori i Përgjithshëm Tedros Adhanom Ghebreyesus I bëri këto komente në kohën kur Washingtoni deklaroi se dëshiron të shikojë të dhënat e misionit i cili qëndroi katër javë në Kinë për të hetuar mbi origjinën e koronavirusit, por doli në përfundimin se ishte e pamundur që ai të kishte dalë nga laboratori i patogjenëve të rrezikshëm në qytetin nga ku shpërtheu pandemia. Administrata e mëparshme amerikane e Presidentit Donald Trump, kishte shprehur dyshime se virusi mund të kishte shpëtuar nga një laborator kinez, gjë që Pekini e mohon me forcë. Ghebreyesus doli me një qëndrim tjetër.
Tedros Adhanom Ghebreyesus: “Janë shtruar pyetje se përse disa hipoteza janë përjashtuar. Duke folur me disa anëtarë të ekipit, dëshiroj të konfirmoj se të gjitha hipotezat mbeten të hapura dhe kërkojnë analiza dhe studime të mëtejshme. Një pjesë e kësaj pune mund të jetë jashtë fushës së veprimit të këtij misioni. Ne gjithmonë kemi thënë që ky mision nuk do t’i gjejë të gjitha përgjigjet, por ai ka shtuar informacione të rëndësishme që na çojnë më pranë kuptimit të origjinës së virusit COVID-19.”
Ghebreyes shtoi se një raport përmbledhës i gjetjeve të misionit mund të dalë javën e ardhshme, pasuar nga një raport përfundimtar më vonë. Të dy raportet do të bëhen publike.
Top Channel