Vajza e gjyqtares Enkelejda Hoxha ka deklaruar se ka qenë në dijeni dhe se mamaja e saj ka qenë e detyruar të lironte të dënuarit!
Sipas vajzës së mitur, nëna e saj Enkelejda Hoxha ka qenë e ndikuar nga disa persona të tjerë për dhënien e vendimeve, por vajza nuk e di se cilët janë këta persona që kanë ndikaur tek ajo.
Vajza shton më tej se e ëma nuk ka shprehur shqetësime, por ajo vetë e ka bërë lidhjen e disa ngjarjeve në dhënien e vendimeve.
“Mamaja ime ka 16 vite në Krujë dhe nuk ka në pronësi asnjë shtëpi apo makinë, është përpjekur të punojë me ndershmëri dhe pastërti. Do marrim pjesë në seancën e mamit dhe do dëgjojmë masën e sigurisë. Mamaja ime është shumë e ndershme dhe e pastër. Ajo ka pasur një arsye shumë të fortë për t’i liruar ata. Mund të jetë detyruar, ka qenë e detyruar. Nuk e di nga kush. Nuk më ka shprehur shqetësime, por kam bërë lidhjen e ngjarjeve dhe kam arritur në konkluzionin që ajo ka qenë e detyruar”, shprehet vajza e gjyqtares.
Sot pritet që gjyqtarja Enkeleida Hoxha së bashku me avokatin Aldo Tabakun dhe 8 të arrestuarit e tjerë do të dalin para gjykatës për t’u njohur me akuzat, për të cilat SPAK i arrestoi.
Së bashku me ta para gjykatës do dalë edhe mjeku Edvin Prifti i arrestuar pasi përgjimet tregojnë që ai u pagua nga sekretarja e gjykatës për të operuar të ëmën përballë shumës prej 2 mijë euro.
Bazuar në përgjimet, SPAK thotë se gjyqtarja Enkelejda Hoxha u implikua nga avokati Aldo Tabaku, i cili sipas vëzhgimeve ambientale takohej me gjyqtaren në një banesë të marrë me qira në kryeqytet.
Fotografimet e shumta e shfaqin çiftin teksa ata takohen njëkohësisht me kohën kur familjarët e të burgosurit Sajmir Petani përpiqen ta lirojnë nga burgu. Skema e përdorur pasohet me 7 kërkesa të dorëzuara nga i dënuari, dhe ndërsa asnjëra prej tyre nuk i bie gjyqtares Hoxha, sapo e fundit shorton Enkelejda Hoxhën i burgosuri heq dorë nga paditë e tjera.
Këtë preference SPAK e cilëson si gjyqtarja e përzgjedhur qëllimisht për kërkesën që u pranua nga gjyqtarja Hoxha e cila vendosi gjashtë muaj ulje dënimi me negocimin e avokatit nga njëra anë dhe të Bledar Petanit dhe një tjetër ish të dënuari që në telefonata përmend se e njëjta gjë është zbatuar edhe me të.
Rasti i dytë që e ekspozon gjyqtaren Hoxha lidhet sërish me tentativën për të liruar Gentian Nezajn, një i dënuar për drogë për të cilin gjatë bisedimeve kërkohen 15 mijë euro dhe të afërmit e tij të pakënaqur ndërsa flasin me njëri tjetrin shprehen se kjo shumë ja vlente për lirim të menjëhershëm dhe jo ulje dënimi.
Top Channel