Sot 4 ndeshje të superiores/ Kukësi-Tirana sfida kryesore

13/02/2021 13:21

Faza e tretë e Kategorisë Superiore nisi me fitoren e Teutës ndaj Skënderbeut me rezultatin 2-0 duke shkurtuar në 4 pikë diferencën me Vllazninë kryesuese.

Kjo e fundit  do të luajë sot në 14:00 me Apoloninë ku objektivi është marrja e 3 pikëve për të bërë kthesën në këtë fazë të sezonit duke qenë se shkodranët vijnë pas 2 barazimeve dhe 1 humbjeje në 3 ndeshjet e fundit. Por vëmendjen më të madhe në këtë javë të Superiores e merr sfida e Selman Stërmasit mes Tiranës dhe Kukësit. Dy skuadrat më të mira të sezonit të kaluar në Kategorinë Superiore, këtë vit nuk po shfaqin të njëjtën formë dhe nuk po i realizojnë sic duhet pritshmëritë.

Megjithatë në ndeshjet e fundit Tirana, pas ardhjes së Orges Shehit në pankinë, ka bërë mirë duke regjistruar dy fitore radhazi, ndërsa Kukësi me Mirel Josën, vjen pas humbjes së pësuar nga Kastrioti kështu që fitorja është një detyrim për të dyja skuadrat për të mos humbur akoma më shumë terren dhe të mbajnë gjallë shpresat për të hyrë në zonën evropiane. Po sot do të luhet edhe sfida mes Kastriotit dhe Partizanit në stadiumin e Kamzës. Skuadra e Ilir Dajës vjen pas një fitoreje të vështirë të marrë në Ballsh ndaj Bylisit dhe me krutanët do të dojë të marrë me cdo kusht 3 pikët për të qenë sa më pranë Vllaznisë në garën për titull në këtë sezon të Kategorisë Superiore.

Megjithatë për Të Kuqtë edhe kjo sfidë me krutanët parashikohet të jetë e vështirë, pasi Kastrioti e ka treguar edhe herë të tjera se është në gjendje që t’u hapë problemeve të mëdhave të futbollit shqiptar, fitorja e fundit ndaj Kukësit e tregoi këtë. Sfida tjetër e Superiores është ajo mes Bylisit dhe Lacit që do të luhet në Adush Nuca. Ballshiotët janë në vendin e fundit të klasifikimit dhe sot do të tentojnë që të marrin pikë për t’u larguar pozicionit ku ndodhen. Por Laci synon të konfirmohet si një prej skuadrave më të mira të këtij sezoni teksa synon të jetë në zonën Evropiane. Të gjitha ndeshjet do të luhen sot në orën 14:00 dhe do të transmetohen në platformën Digitalb.

Top Channel