Rrëfimi i Akil Panos… nga ëndrra për t’u bërë futbollist, shtysa e babait që të bëhej peshëngritës dhe sot e njohim si një pastor.
“Unë aspirohesha që të bëhesha futbollist” – shprehet pastori i njohur në Top Albania Radio. I ftuar në emisionin sportiv “Paso” Akil Pano zbuloi të shkuarën e tij, i rritur nga një familje sportistash, vitet si peshëngritës dhe ëndrra e mbetur peng për t’u bërë futbollist.
Unë si nipi i Panajot Panos, në familjen tonë, djali i xhaxhait tim Ledjo luante futboll, djali i hallës luante me Dinamon, Ledjo me Partizanin, unë aspirohesha që të bëhesha edhe unë futbollist. Madje kisha dëgjuar që babai im, vëllai i vogël i Panajotit, Kristofori kishte shkëlqyer më shumë sesa Panajoti dhe unë ëndërroja që të bëhesha po aq i madh sa të paktën xhaxhai im.
Pra, pastori zbulon ekskluzivisht se babai i tij ka shkëlqyer më shumë sesa vetë Panajot Pano (vëllai), bëhet fjalë për Kristoforin.
Nërkaq, Akil Pano thekson se: Për fat të keq të dy sot nuk janë në botën e njerëzve… Por miqtë e Panajotit dhe Kristoforit që i njihnin të dy ata që luanin futboll, që sot jetojnë dhe janë gjalllë, më kanë thënë gjithmonë se babai im gjynah që e la futbollin sepse ishte futbollist më i mirë se Panajoti.
Gjithsesi, kur unë shfaqa dëshirën për t’u bërë futbollist, familja ime tha që nuk do bëhemi të gjithë familje futbollistash dhe në një farë mënyre për të shprehur atë pasionin për sportin dhe një lloj revolte të brendshme sepse ishte një ëndërr e madhe që unë doja të bëhesha futbollist, mendova që të filloja të eksperimentoja tek këto sportet e rënda… Një ditë prej ditësh babai më merr dhe më çon tek klubi i Partizanit, së bashku ai më prezanton me një mikun e tij, mjeshtrin e sportit, trajnerin e njohur të peshëngritjes në Shqipëri, Hektor Shaqiri…
Këtu pra nisi gjithçka dhe pastori numëron plot 7 vite eksperiencë në peshëngritje. Ky lloj sporti i dhuroi shumë adrenalinë, inteligjencë dhe e ktheu në një personazh të fortë.
I pyetur nëse tentoi apo provoi të bëhej një futbollist, në fund të kësaj historie, Akil Pano shprehet:
Unë mbeta me ëndrrën për t’u bërë një futbollist… mbeta dashamirës i mirë dhe i madh i sportit vendas dhe të huaj, veçanërisht vendas…
Top Channel