Nuk ka fitues në ndeshjen e parë të javës së 22-të të kampionatit italian, pasi Bologna dhe Benevento ndanë nga një pikë në “Dall’Ara’ falë barazimit 1-1, duke mbetur në pozita të barabarta edhe në renditje, me nga 24 pikë secila.

Skuadra e drejtuar nga Sinisa Mihajlovic e nisi ndeshjen mjaft mirë, pasi zhbllokoi rezultatin që në minutën e parë, kur pas një veprimi të bukur të Barrow në zonë, ishte Sansone që përfitoi dhe shtyu topin në rrjetën e Montipo.

Megjithatë me kalimin e minutave Benevento fitoi terren dhe i shkoi disa herë pranë golit të barazimit, por Skorupski dhe shtylla ua mohuan disa herë këtë kënaqësi djemve të drejtuar nga Philippo Inzaghi.

Në minutën e 60’, pas një rrëmuje në zonë, ishte mesfushori me numër 10 i Beneventos, Viola që shënoi golin e barazimit, pas një gjuajtjeje të bukur me finte brenda zonës, duke e bërë sfidën edhe më interesante deri në fund.

Reshjet e dëborës që ranë gjatë gjithë ndeshjes në “Dall’Ara” e bënë terrenin të rrëshqitshëm dhe të rënduar, megjithatë deri në vërshëllimën finale të arbitrit nuk pati më asnjë gol të shënuar dhe të dy skuadrat u kënaqën me nga një pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA