Mario Draghi fitoi mbështetje për të formuar qeverinë e re të Italisë

13/02/2021 08:00

Ish-presidenti i Bankës Qendrore Evropiane, Mario Draghi, pranoi zyrtarisht detyrën sfiduese për të formuar qeverinë e ardhshme të Italisë, duke zbuluar kabinetin e përzier të teknokratëve dhe politikanëve me një koalicion të gjerë të mbështetjes.

Presidenti italian Sergio Mattarella javën e kaluar i bëri thirrje Draghi-t të jetë kryeministri i ri, duke i kërkuar atij të zgjidhte një krizë të rrezikshme politike që e zhyti vendin në kaos, përderisa vendi përballet me valën e tretë të pandemisë së koronavirusit dhe një nga krizat e saj më të rënda ekonomike.

Pas një jave konsultimesh të ndërlikuara me partitë politike, pothuajse të gjitha forcat kryesore politike i dhanë mbështetje qeverisë së “unitetit kombëtar” të Draghi-t, duke premtuar një mbështetje të plotë në parlament.

Ekipi i Draghi-t, i cili më herët gjithashtu ka qenë Guvernator i Bankës Qendrore të Italisë, konfirmoi disa nga ministrat e deritanishëm.

Kreu i partisë “Pesë Yje”, Luigi Di Maio, do të qëndrojë si ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa Giancarlo Giorgetti, një figurë kryesore në partinë “Lega Nord” të udhëhequr nga Matteo Salvini, do të bëhet ministri i Industrisë.

Andrea Orlando, një figurë tjetër kryesore nga Partia Demokratike e qendrës së majtë, do të jetë ministri i ri i punës; ndërsa Marta Cartabia, ish-kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të jetë ministre e re e Drejtësisë.

Draghi do të mbajë një ndikim të fuqishëm në ministritë kryesore teknike si ajo e Ekonomisë dhe Financave, të cilat do të drejtohen nga Daniele Franco, drejtori i përgjithshëm i Bankës së Italisë dhe një person i afërt me kryeministrit të ri.

Roberto Cingolani, një ekspert i inovacionit teknologjik dhe profesor i fizikës, do të drejtojë Ministrinë e sapokrijuar të Tranzicionit Ekologjik, të kërkuar fuqimisht nga partija “Pesë Yje”, e cila gjithmonë e ka pasur tranzicionin e gjelbër një nga prioritetet kryesore.

Sfidat me të cilat duhet të përballen Draghi dhe ekipi i tij i ministrave mbeten thelbësore. Qeveria duhet të përballet me krizat dramatike shëndetësore dhe ekonomike pasi pandemia COVID-19 shkaktoi një dëm shkatërrues.

Kabineti do të duhet të mblidhet dhe të zbatojë një plan të besueshëm në gjendje të investojë më shumë se 200 miliardë euro në fonde të caktuara nga Bashkimi Evropian për rimëkëmbjen post-pandemike.

Mbështetja e gjerë e për kryeministrin i ri, i cili mbështetet edhe nga partitë opozitare të qendrës së djathtë, duhet t’ia mundësojë atij të fitojë lehtësisht votat e besimit në të dy dhomat e parlamentit italian javën e ardhshme.

Por pozicionet konfliktuale dhe shpesh të kundërta që ndajnë partnerët e koalicionit mund të rishfaqen lehtësisht pasi të formohet qeveria, duke rrezikuar të prishin mbijetesën e saj politike./AA/

Top Channel