DASH: Koreja e Veriut një prioritet urgjent për Shtetet e Bashkuara

13/02/2021 04:14

Armët bërthamore dhe programet e raketave balistike të Koresë së Veriut janë një përparësi urgjente për Shtetet e Bashkuara dhe Uashingtoni mbetet i vendosur për çnuklearizimin e vendit, tha të premten Departamenti amerikan i Shtetit.

Mungesa e angazhimit të drejtpërdrejtë të administratës së Presidentit Biden me Korenë e Veriut nuk duhet të shihet si një tregues se sfida e paraqitur nga programet e saj të armatimit nuk është një përparësi, tha zëdhënësi i departamentit Ned Price. “Në fakt është vërtet (përparësi)”, tha ai në një konferencë të rregullt për shtyp.

Koreja e Veriut vazhdoi të bëjë përparim në programet e saj bërthamore dhe të raketave në vitet e fundit “gjë që e bën këtë një përparësi urgjente për Shtetet e Bashkuara, për të cilën ne jemi të gatshëm të punojmë së bashku me aleatët dhe partnerët tanë”, tha zoti Price. “Dhe … premisa qendrore është që ne të mbetemi të përkushtuar për çnuklearizimin e Koresë së Veriut,” tha ai. Zoti Price tha se mungesa e angazhimit të drejtpërdrejtë deri më sot ishte “për t’u siguruar që kemi bërë punën diplomatike, se kemi mbajtur kontakte të ngushta, në bashkëpunim me partnerët dhe aleatët tanë”, duke synuar një qasje të koordinuar.

Administrata e Presidentit Biden, e cila mori detyrën muajin e kaluar, thotë se po kryen një rishikim të plotë të politikës së Koresë së Veriut në konsultim me aleatët, veçanërisht Korenë e Jugut dhe Japoninë, pas angazhimit të paprecedent të ish-Presidentit Donald Trump me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un, angazhim që nuk arriti ta bind Phenianin të heqë dorë nga armët bërthamore.

Një raport konfidencial i OKB-së, i parë nga të hënën nga agjensia e lajmeve Reuters tha se Koreja e Veriut zhvilloi programet e saj bërthamore dhe të raketave balistike gjatë vitit 2020 në shkelje të sanksioneve ndërkombëtare, duke ndihmuar në financimin e tyre me gati 300 milionë dollarë të vjedhura nëpërmjet hakerëve kibernetikë.

Zyrtari më i lartë për Azinë i Presidentit Joe Biden, Kurt Campbell, ka thënë se administrata duhet të vendosë shpejt se si t’i përqaset çështjes së Koresë së Veriut dhe të mos përsërisë një vonesë të epokës së ish-Presidentit Obama që çoi në hapa “provokues” nga Pheniani duke pamundësuar edhe angazhimin.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken, i cili diskutoi Korenë e Veriut me homologun e tij të Koresë së Jugut të enjten, ka thënë se sanksione shtesë mund të përdoren në koordinim me aleatët për ta shtyrë Korenë e Veriut drejt çnuklearizimit. Zoti Biden e quajti Kim Jong Un-in një “bandit” gjatë fushatës zgjedhore dhe tha se ai do të takohej me të vetëm “me kushtin që ai të pranonte se do të ulte kapacitetin e tij bërthamor për të arritur deri tek takimi”./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA