Biden shqyrton mundësin për ta mbyllur burgun famëkeq të Guantanamos në Kubë

13/02/2021 07:59

Administrata Biden ka nisur të shqyrtojë planet mbi të ardhmen e burgut famëkeq amerikan në Gjirin e Guantanamos, në Kubë, me qëllim mbylljen e tij. Lajmin e kanë bërë të ditur burime nga Shtëpia e Bardhë, të cituara nga agjencia “Reuters”.

Zyrtarë të përfshirë në bisedimet e brendshme po shqyrtojnë marrjen e një urdhri ekzekutiv që synohet të firmoset nga presidenti Joe Biden në javët ose muajt e ardhshëm.

Lajmi sinjalizon kështu një përpjekje të re për të mbyllur atë që avokatët e të drejtave të njeriut e kanë cilësuar si një njollë në imazhin global të Shteteve të Bashkuara. “Ne kemi nisur një proces diskutimi për t’i dhënë zgjidhje një çështjeje të trashëguar nga administrata e mëparshme, në linjë me synimin tonë madhor për ta mbyllur Guantanamon”, deklaroi zëdhënësja e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, Emily Horne.

Por pavarësisht iniciativës, ka pak gjasa që kompleksi famëkeq i sigurisë së lartë të mbyllë dyert në një të ardhme të afërt. I ngritur për të strehuar të dyshuarit për terrorizëm pas sulmeve të 11 shtatorit, burgu i Guantanamos u kthye në simbol të tejkalimit të limiteve të luftës amerikane kundër terrorizmit, pasi metodat e marrjes në pyetje të të burgosurve u kthyen shumë shpejt në tortura.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA