Turqia e bëri të qartë se nuk do ta kthejë pas blerjen e sistemeve ruse të mbrojtjes S-400 pavarësisht sanksioneve të Shteteve të Bashkuara, por shtoi se do të kërkonte t’i zgjidhte çështjet me aleatin e saj të NATO-s përmes dialogut.
Në dhjetor, Uashingtoni vendosi sanksione ndaj Ankarasë për blerjen e sistemeve ruse S-400 me arsyen se ato rrezikojnë avionët e saj luftarakë F-35 dhe janë të papajtueshme me mbrojtjen e përbashkët të NATO-s.
Turqia e ka hedhur poshtë këtë dhe thotë se sistemet do të jenë të pavarura nga mbrojtja e NATO-s. Pas zgjedhjes së Joe Biden president i Shteteve të Bashkuara, Ankaraja është shprehur se kërkon marrëdhënie më të mira dhe propozoi përsëri një grup të përbashkët pune për sistemet S-400. Por Uashingtoni e ka refuzuar vazhdimisht këtë ide dhe thotë se sanksionet do të mbeten derisa Turqia të mos i ketë më raketat.
Ministri turk i mbrojtjes tha të martën se Ankaraja do të propozojë vetëm pjesërisht aktivizimin e sistemeve S-400 në negociatat me Shtetet e Bashkuara, sipas mediave në Turqi. Në një intervistë me televizionin shtetëror TRT Haber, zëdhënësi i presidencës turke Ibrahim Kalin tha se komentet e ministrit ishin keqkuptuar, por nuk dha hollësira, duke shtuar se me Uashingtonin ishin duke u zhvilluar bisedime për mosmarrëveshjet, por se nuk duhen pritur zgjidhje të shpejta të problemeve.
“Shtetet e Bashkuara kanë thënë deri tani se nuk do të përfshihen në asnjë negociatë mbi këtë çështje (S-400). Turqia nuk do të kthehet pas për sa i përket sistemeve S-400”, deklaroi Kalin.
Top Channel