SHBA-ja do të largojë rebelët huthi nga lista e organizatave terroriste

12/02/2021 21:10

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se do të heqë statusin ndaj rebelëve huthi si organizatë e huaj terroriste dhe grup terrorist global.

Ky vendim – që do të nisë së zbatuari më 16 shkurt – përmbys vendimin e administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump për këtë këtë grup.

Vendimi ri synon të lehtësojë krizën më të rëndë humanitare në gjithë botën dhe të rrisë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës civile në Jemen.

“Ky vendim ka të bëjë me njohjen e situatës së rëndë humanitare në Jemen”, ka thënë Blinken përmes një deklarate.

Jemeni është përfshirë në luftë civile nga viti 2015.

Si pasojë e këtij konflikti kanë vdekur më shumë se 100,000 persona, është shkatërruar infrastruktura e shtetit, dhe është krijuar kriza më e keqe humanitare.

Në këtë konflikt përballen rebelët huthi të përkrahur nga Irani, të cilët kontrollojnë kryeqytetin Sana dhe pjesën më të madhe në veri dhe perëndim të këtij vendi, kundër qeverisë së përkrahur nga Arabia Saudite.

Administrata Biden dhe qeveritë tjera, Kombet e Bashkuara dhe organizatat e ndihmave frikësohen se sanksionet e vëna ndaj rebelëve huthi mund të pengojnë furnizimet me ushqim, ndërkohë që rritet kërcënimi për uri të madhe.

Mirëpo Blinken ka dhënë shenja se ekzistojnë kufizime për tolerancën e Uashingtonit ndaj lëvizjes huthi.

Ai ka thënë se liderët e kësaj lëvizjeje — Abdul Malik al-Huthi, Abd al-Khaliq Badr al-Huthi, and Abdullah Yahya al-Hakim – do të vazhdojnë të jenë të sanksionuar.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë syhapur për aktivitetet e dëmshme të Ansarallahut”, ka thënë Blinken duke përdorur një shprehje me të cilën njihen rebelët huthi.

Vendimi i Shteteve të Bashkuara vjen ndërkohë që katër agjenci të OKB-së kanë paralajmëruar që më shumë se 2 milionë fëmijë në Jemen, nën moshën pesëvjeçare, pritet të përballen me një formë të urisë këtë vit.

Raportet e tyre paralajmërojnë se gati një në gjashtë fëmijë – 400,000 nga 2.3 milionë – rrezikojnë të përballen me vdekje si pasojë e urisë më 2021.

Këto shifra janë dukshëm më të mëdha sesa ato të një viti më parë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA