Presidenti Biden të enjten kritikoi programin e vaksinimit kundër koronavirusit që ai e trashëgoi nga paraardhësi i tij, Donald Trump, dhe u bëri thirrje amerikanëve që të kenë durim ndërsa ai përpiqet ta përmirësojë atë.
Ai tha se programi ishte në një “gjendje shumë më të keqe” se sa e kishte menduar. “Ne nuk do të rregullojmë të gjitha gjërat menjëherë, por do t’i rregullojmë ato”, tha ai në komentet që bëri në Institutin Kombëtar të Shëndetit në Bethesda të Merilendit. “Ndërsa shkencëtarët bënë punën e tyre në zbulimin e vaksinës në një kohë rekord, paraardhësi im nuk e bëri punën e tij për t’u përgatitur për sfidën masive të vaksinimit të qindra miliona amerikanëve”, tha Presidenti Biden.
Zoti Biden tha se qeveria amerikane ka nënshkruar një kontratë për 100 milionë doza të tjera vaksinash kundër Covid-19 me kompaninë Moderna dhe një tjetër për 100 milionë doza të vaksinës së kompanisë Pfizer. “Ne kemi blerë vaksina të mjaftueshme për të injektuar të gjithë amerikanët”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara, që kanë rreth 330 milionë banorë, janë në rrugë të mirë për të realizuar 300 milionë vaksinime deri në fund të korrikut.
Presidenti Biden vizitoi Laboratorin e Patogjenezës Virale në kompleksin e gjerë të Institutit Kombëtar të Shëndetit, në periferi të Uashingtonit që krijoi vaksinën kundër Covid-19 të prodhuar tani nga Moderna dhe që po shpërndahet në Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera. Ai pritet të vizitojë edhe ekipin e studiuesve dhe shkencëtarëve të agjencisë, të cilët po studiojnë ilaçet për trajtimin e koronavirusit dhe sëmundjeve të tjera të rrezikshme.
Shtetet e Bashkuara janë në rrugën e duhur për të tejkaluar objektivin e Preisdentit Biden për të administruar 100 milionë doza vaksine në 100 ditët e tij të para në detyrë, me më shumë se 26 milionë tashmë të realizuara në tre javët e tij të para në detyrë. Ndërkohë, Presidenti Biden po ndërmerr masa për të hequr pengesat në procesin e furnizimit dhe për t’u siguruar që vendi ka mjaft vaksina aktuale me dy doza për të mbrojtur 300 milionë amerikanë deri në fund të verës.
Presidenti Biden tha se para se të fillonte punën administrata e tij nuk e dinte se kishte probleme të mëdha logjistike në shpërndarjen e vaksinës. “Në mësuam se kishte një problem logjistik gjigand për ne. Ne nuk kemi patur qasje në të dhënat për këtë problem gjatë periudhës së tranzicionit. Ne kishim përshtypjen se kishte më shumë vaksina në dispozicion”, tha Presidenti Biden.
Ritmi i vaksinimit mund të rritet më tej nëse një vaksinë e tretë e koronavirusit nga prodhuesi i ilaçeve Johnson & Johnson merr miratimin për përdorim urgjent nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave. Laboratori i Patogjenezës Virale drejtohet nga Dr. Barney Graham, ekipi i të cilit bëri zbulime kritike vite më parë që hodhën bazat për zhvillimin e shpejtë të vaksinës kundër Covid-19 dhe vaksinave të tjera. Para se të shpërthente pandemia, një nga kolegët e zotit Graham, Dr. Kizzmekia Corbett, kishte përdorur zbulimet e mëparshme për të zhvilluar një vaksinë për virusin MERS, që ka ngjashmëri me Covid-19.
Me ndihmën e zbulimeve të tyre të mëparshme, Corbett dhe Graham kishin një fillim të mirë kur shkencëtarët kinezë ndanë hartën gjenetike të koronavirusit të ri në janar të vitit 2020. Ata tashmë dinin se si të prodhonin proteina thumbuese, të cilat mbështjellin sipërfaqen e koronavirusit të ri dhe atë të virusit MERS, që kishin qëndrueshmëri të mjaftueshme për t’u përdorur si përbërës kryesor të vaksinës.
Brenda disa ditësh, Instituti Kombëtar i Shëndetit i kishte dhënë udhëzime kompanisë Moderna për të krijuar doza të vaksinës, dhe Corbett dhe kolegët e saj filluan të krijonin laboratorin kryesor dhe të bënin testimin e vaksinës tek kafshët që në fund i hapën rrugën zhvillimit dhe prodhimit të vaksinës kundër Covid-19./VOA
Top Channel