Platforma e mediave sociale Instagram ka bllokuar përgjithmonë llogarinë e Robert F. Kennedy Jr për postimin e informacionit të rremë në lidhje me vaksinat dhe COVID-19.
Në një deklaratë të mërkurën, kompania Facebook, e cila ka në pronësi Instagramin, tha, “Ne e hoqëm këtë llogari për shkak të ndarjes së përsëritur të pretendimeve të rreme në lidhje me koronavirusin ose vaksinat”. Faqja e zotit Kennedy në Facebook, e cila ka të postuara të njëjtat informacione dhe ka mbi 300,000 ndjekës, mbetet aktive.
Robert F. Kennedy Jr është djali i ish senatorit dhe prokurorit të përgjithshëm amerikan Robert F. Kennedy dhe nipi i Presidentit John F. Kennedy. Ai ka punuar për disa dekada si avokat I çështjeve të mjedisit. Vitet e fundit, ai është bërë i njohur për pikëpamjet e tij kundër përdorimit të vaksinave.
Zoti Kennedy kryeson shoqatën Mbrojtja e Shëndetit të Fëmijëve, një organizatë jofitimprurëse e cila është skeptike në lidhje me përfitimet shëndetësore që sjellin vaksinat. Kennedy ka lobuar në Kongres për t’u dhënë prindërve lëshime nga vaksinimi i detyruar shtetëror për fëmijët.
Zoti Kennedy ka thënë se nuk është kundër vaksinave, për sa kohë që ato janë të sigurta dhe thotë se ai ka vaksinuar të gjithë fëmijët e tij. Megjithatë, ai rregullisht ka mbështetur lidhjet e debatueshme mes vaksinave dhe autizmit dhe ka argumentuar se është më e sigurt të prekesh nga koronavirusi sesa të vaksinohesh kundër tij. Anëtarët e familjes së famshme politike Kennedy janë shprehur kundër pikëpamjeve të tij.
Top Channel