Moti i ngrohtë do ti lërë vendin borës dhe acarit në fundjavë në rajonin e Ballkanit, ndërsa një front i ftohtë po mbështjell atë.
Temperatura shumë të ulëta priten në Itali, Greqi dhe vendin tonë po ashtu, duke nisur nga e shtuna dhe kjo valë të ftohti do të vijojë të paktën deri në mesin e javës së ardhshme, për shkak të mbërritjes së një fronti të ftohtë të quajtur ‘Medea’. Masat e ajrit të ftohtë që gjenden aktualisht mbi Evropën qendrore dhe veriore, po zbresin tashmë më në jug dhe do të prekin rajonin e Ballkanit të shtunën, me temperaturat që do zbresin deri në -10 gradë celsius dhe reshje të pazakonta bore.
Ndërsa Evropa qendrore dhe ajo veriore u prekën këtë javë nga acari dhe dëbora, me probleme të mëdha të shkaktuara në Gjermani, Britani, Ceki dhe vende të tjera, radha tani i ka ardhur Moskës, ku nga orët e para të së premtes janë regjistruar reshje të mëdha dëbore, që ekspertët thonë se do të thyejnë edhe rekordet e deritanishme.
Edhe në Kiev të Ukrainës, trafiku është rënduar shumë për shkak të reshjeve të dendura të borës ndërkohë që me shkollat të mbyllura, fëmijët kanë nxituar të shfrytëzojnë situatën dhe të bëjnë ‘snowboard’ në sheshet e qytetit.
Top Channel