Partia djathtiste në Bundestag, Alternativa për Gjermaninë, AfD, ka kërkuar të mërkurën me anë të një mocioni në parlamentin gjerman anulimin e Rregullores së Ballkanit Perëndimor. Argumenti kryesor është kriza ekonomike dhe papunësia e shkaktuar nga pandemia.Deputeti i kësaj partie, Rene Springer, tha në fjalën e tij të mërkurën pasdite, se fuqia punëtore nga Ballkani Perëndimor ul pagat e vendasve.

Sipas tij punëtorët që vijnë me këtë rregullore marrin deri në 900 euro në muaj më pak se kolegët e tyre gjermanë.”Kjo rregullore është ulje page me mbështetje nga shteti dhe ju bëni sikur nuk shikoni”, tha Springer. Por deputeti djathtist tha se rregullorja nuk është e dëmshme vetëm për Gjermaninë, por edhe për vendet e Ballkanit, prej të cilëve po largohet fuqia punëtore.

Ai përmendi ndër të tjera Kosovën, ku “largimi i personelit shëndetësor e ka çuar sistemin shëndetësor në një gjendje alarmante”.

Degët kryesore të punësimit sipas rregullores së Ballkanit Perëndimor janë ndërtimtari dhe gastronomi
Refuzimi i kërkesës

Kërkesa e deputetëve të AFD u hodh poshtë nga kolegët e partive të tjera. Ata të gjithë vunë në dukje se Rregullorja e Ballkanit Perëndimor nuk përbënte aspak konkurrencë për gjermanët, pasi një nga kushtet për t’u pajisur me vizë pune sipas kësaj rregulloreje është leja e punës. Këtë kandidati e merr vetëm nëse për profesionin e tij nuk ka konkurrentë vendas.

“Këtu asnjë ballkanas nuk i merr vendin e punës ndonjë gjermani”, tha Daniela Kolbe nga parita socialdemokrate. Deputeti i partisë liberale, Johannes Olpe, tha se qëllimi i këtij mocioni nuk është kontrolli mbi migracionin, siç pretendonte AfD, por antipatitë nda popujve të tjerë.

Deputeti i grupit parlamentar CDU/CSU, Marc Biadasz, tha se me këtë mocion AfD do thjesht të nxisë frikë. Rregullorja e Ballkanit Perëndimor u miratua në vitin 2016 dhe u lejon imigrantëve nga Ballkani të vinë në Gjermani edhe nëse kanë kualifikime të ulëta. Kusht është që të kenë kontratë pune në Gjermani.

Për momentin e pezulluar

Duke filluar nga ky vit ajo është zgjatur deri në vitin 2023. Dhe numri i imigrantëve që mund të vijnë në Gjermani me këtë rregullore është kufizuar deri në 25.000 në vit. Që prej gati një vit, për shkak të krizës së koronës, dhënia e vizave në ambasada mbi bazën e kësaj rregulloreje është pezulluar. Por edhe më parë, procedura e dhënies së vizave ishte shumë e stërzgjatur.

Ulla Jelpke nga partia e Majtë, u ankua pikërisht për këtë dhe kërkoi që punëtorëve t’u jepet mundësia që t’i marrin vizat në Gjermani, dhe të mos presin nëpër ambasada. Edhe liberalët duan t’i përshpejtojnë procedurat e dhënies së vizave.

Grupi parlamentar i tyre gjithashtu paraqiti një mocion ku kërkonte përshpejtimin e vizave dhe zgjatjen e rregullores deri në vitin 2025. Të dy mocionet iu kaluan për këshillime komisioneve përkatëse./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA