Dhjetëra ish-zyrtarë republikanë, në bisedime për formimin e një partie anti-Trump

12/02/2021 03:59

Dhjetëra ish zyrtarë republikanë, të cilët e shohin partinë si të pavullnetshme për t’i rezistuar ish-Presidentit Donald Trump dhe përpjekjeve të tij për të minuar demokracinë amerikane, janë në bisedime për të formuar një parti të të qendrës së djathtë, thanë për agjencinë Reuters, katër persona të përfshirë në bisedime.

Diskutimet në fazën e hershme përfshijnë ish zyrtarë të zgjedhur republikanë, ish zyrtarë që kanë shërbyer në administratat republikane të Ronald Reaganit, George H.W. Bush, George W. Bush dhe Trump, ish-ambasadorë republikanë dhe strategë republikanë, thonë personat e përfshirë në bisedime. Më shumë se 120 prej tyre zhvilluan një telekonferencë të premten për të diskutuar shkëputjen e grupit, i cili do të funksionojë mbi platformën e “konservatorizmit parimor”, duke përfshirë besnikërinë ndaj Kushtetutës dhe shtetin e së drejtës – ide që personat e përfshirë thonë se janë hedhur poshtë nga ish presidenti Trump.

Plani është futja e kandidatëve në disa gara, por edhe mbështetja e kandidatëve të qendrës së djathtë në të tjera, qofshin ata republikanë, të pavarur apo demokratë. Evan McMullin, i cili ka qënë drejtor i politikave në Konferencën Republikane të Dhomës së Përfaqësuesve dhe kandidoi si i pavarur në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, i tha agjencisë Reuters se ai organizoi telekonferencën me ish zyrtarët e shqetësuar në lidhje me kontrollin e Trumpit ndaj republikanëve dhe kthesën anti-imigracionit që ka marrë partia.

Tre persona të tjerë konfirmuan për agjencinë Reuters telekonferencën dhe diskutimet për një parti të mundshme, por kërkuan të mos identifikohen. Midis pjesëmarrësve ishin John Mitnick, këshilltar i përgjithshëm në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump; ish-kongresmeni republikan Charlie Dent; Elizabeth Neumann, nëndrejtore kabinetit në Departamentin e Sigurisë Kombëtare në administratën Trump; dhe Miles Taylor, një tjetër ish-zyrtar i sigurisë kombëtare në administratën Trump.

Bisedimet nxjerrin në pah përçarjen e thellë brenda partisë mbi pretendimet e rreme të Trumpit për manipulimin e zgjedhjeve dhe sulmin vdekjeprurës të 6 janarit në Kapitolin. Shumica e republikanëve i qëndrojnë besnikë ish-presidentit, por të tjerët kërkojnë një drejtim të ri për partinë. Pjesëmarrësit në telekonferencë thanë se ishin veçanërisht të tronditur nga fakti që më shumë se gjysma e republikanëve në Kongres – tetë senatorë dhe 139 ligjvënës të Dhomës së Përfaqësuesve- votuan për të bllokuar çertifikimin e fitores së Bidenit në zgjedhje vetëm disa orë pas rrethimit të Kapitolit.

Shumica e senatorëve republikanë gjithashtu kanë treguar se nuk do të mbështesin dënimin e Trumpit në gjyqin e Senatit nën akuza se nxiti dhunën në Kongres. “Pjesë të mëdha të Partisë Republikane po radikalizohen dhe po kërcënojnë demokracinë amerikane”, tha zoti McMullin. “Partia duhet të përkushtohet përsëri ndaj të vërtetës, arsyes dhe idealeve themelore ose duhet të ketë dale diçka e re.”

‘Këta dështakët’

I pyetur në lidhje me diskutimet për një parti të tretë, Jason Miller, një zëdhënës i Trumpit, tha: “Këta dështakë u larguan nga Partia Republikane kur votuan për Joe Bidenin.” Një përfaqësues për Komitetin Kombëtar Republikan iu referua një deklarate të fundit nga kryetarja Ronna McDaniel. “Nëse vazhdojmë të sulmojmë njëri-tjetrin dhe të përqendrohemi në sulmet ndaj republikanëve, nëse kemi mosmarrëveshje brenda partisë tonë, atëherë do të humbasim vështrimin nga zgjedhjet e vitit 2022,” tha McDaniel në kanalin Fox News muajin e kaluar.

“E vetmja mënyrë për të fituar është të bashkohemi”, tha ajo.

Zoti McMullin tha se një shumicë e atyre që morën pjesë në telekonferencën e javës së kaluar mbështesnin idenë e një partie të tretë kombëtare, të shkëputur nga partia republikane. Një tjetër mundësi në diskutim është formimi i një “fraksioni” që do të funksiononte ose brenda partisë aktuale republikane ose jashtë saj./VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA