Për disa është mallkimi i Barcelonës, ndërsa për të tjerë është ai i muajit mars. Megjithatë faktet tregojnë se para vitit 2020, ylli brazilian Neymar është dëmtuar për 5 vite radhazi në muajin mars dhe ka humbur sfida të rëndësishme të klubeve ku ka qenë pjesë.

Nëse marrim në konsideratë dëmtimin e pësuar ndaj Caen, që do ta lërë jashtë fushave për më tepër se një muaj, atëherë bëhen 6 vite radhazi dhe kritikët nuk ngurrojnë ta lidhin këtë edhe me 11 marsin, ditëlindjen e motrës së Neymar, pasi kur bëhet fjalë për festa, dihet që braziliani nuk dëshiron të mungojë asnjëherë.

E përditshmja franceze “L’Equipe” zbulon se drejtuesit e Paris Saint Germain vlerësojnë maksimalisht angazhimin e brazilianit në stërvitje dhe ndeshje, por së fundi kanë filluar të lodhen nga dëmtimet e shpeshta të Neymar.

Një pjesë e mirë e drejtuesve të klubit kryeqytetas kanë filluar t’i lidhin dëmtimet e shpeshta të Neymar, me jetën intensive të natës që ai bën, ndryshe nga kampionë të tjerë të atij niveli si Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, që janë shumë më striktë në regjimin sportiv.

Që kur u transferua te PSG-ja në verën e 2017-ës, Neymar ka luajtur vetëm 103 nga 191 ndeshjet e mundshme, ose vetëm 53% të tyre, që janë shumë pak për një futbollist që paguhet me shifra marramendëse, megjithatë vetë braziliani ka zgjedhur Instagramin për të folur për dëmtimin e tij.

“Trishtimi është i madh, dhimbja është e pamasë dhe e qara është e vazhdueshme. Edhe një herë për ca kohë do të ndaloj së bëri atë që dua më shumë në jetë: të luaj futboll. Ndonjëherë ndjehem i zemëruar me veten për stilin tim të lojës, sepse dribloj shumë dhe gjithmonë përfundoj duke u goditur. Nuk e di nëse problemi jam unë, apo ajo çfarë bëj në fushë dhe kjo më trishton vërtet. Dhe gjithashtu më trishton të dëgjoj lojtarë, trajnerë, komentues, ose këdo dreq që dëshironi, duke thënë ‘ai i meriton goditjet’, ‘ai është një simulues’, ‘ai që gjithmonë qan’, ‘një fëmijë i llastuar’ etj. Sinqerisht, kjo më trishton dhe nuk e di sa do të duroj. Unë thjesht dua të jem i lumtur duke luajtur futboll. ASGJË MË SHUMË”, shkroi Neymar në Instagram.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA