Video tronditëse në Senat/ Demokratët i paraqesin si prova për fajësinë e Trump

11/02/2021 12:11

Anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuseve në rolin e prokurorëve treguan video të reja tronditëse të kamerave të sigurisë në gjyqin ndaj ish-Presidentit Donald Trump.

Në video shihej turma duke hyrë me forcë në Kapitol, duke thyer dritare dhe dyer dhe duke kërkuar në mënyrë kërcënuese zv.presidentin Mike Pence dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, ndërsa policia që nuk përmbante dot turmën lutej në radio për ndihmë.

Në regjistrimet e papublikuara më parë, prokurorët e Dhomës së Përfaqësuesve shfaqën skena shokuese që bënin të qartë se sa afër ishin agresorët me udhëheqësit e vendit, duke qarkulluar lirisht nëpër salla e duke brohoritur “Të varet Mike Pence“, disa prej tyre madje edhe me veshje luftarake. Në një moment dramatik, në video shihet një punonjës i rendit që hap zjarr drejt turmës përmes një dritareje të thyer, duke vrarë një grua nga San Diego, Ashli Babbitt. Pamjet tregojnë zv.presidentin Pence, i cili po kryesonte seancën  që shoqërohet me nxitim bashkë me familjen e tij, vetëm 30 metra larg protestuesve.

Pelosi u evakuua nga kompleksi ndërsa stafi i saj u fsheh në zyra. Punonjësit e rendit, në gjendje paniku thonë “e humbëm kontrollin“. Një oficer shihet duke u shtypur nga turma dhe prokurorët thanë se një tjetër pësoi një atak në zemër. Më pas një prej tyre humbi jetën.

Paraqitja tronditëse hapi ditën e parë të plotë të argumenteve në gjyq ndërsa prokurorët argumentuan se Trump nuk ishte një “spektator i pafajshëm” por “nxitësi kryesor” i trazirave vdekjeprurëse të Kapitolit, një president që për muaj me radhë përhapi gënjeshtra për zgjedhjet dhe ushqeu zemërimin e një turme mbështetësish, të gatshëm të ndiqnin thirrjen e tij për të ndalur fitoren e Biden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA