Spektakël dhe “lumë golash”, Everton mposht Tottenham dhe kalon në çerekfinale

11/02/2021 00:44

Më shumë se dy orë spektakël dhe plot 9 gola të shënuar në “Goodison Park” në sfidën mes Evertonit dhe Tottenhamit, teksa në fund vendasit e drejtuar nga Carlo Ancelotti triumfuan me shifrat 5-4 dhe siguruan kalimin në fazën çerekfinale të FA Cup.

Sfida u zhbllokua që në minutën e tretë nga ana e londienzëve të Jose Mourinhos, që kaluan në avantazh me një gol të mbrojtësit Davinson Sanchez, i cili dërgoi topin në rrjetë pas një pasimi të saktë të Hueng Min Son.

Loja po shkonte mirë për Tottenhamin, por nga minuta e 36’ deri në të 43-tën londinezët pësuan një “black out” total dhe i dhanë mundësi Evertonit të shënojë tre herë, fillimisht me anë të Calvert-Lewin e më pas me Richarlisson e Sigurdsson.

Megjithatë “Spurs” u rikthyen sërish në lojë, pasi rihapën ndeshjen në shtesën e pjesës së parë, me një gol të shënuar nga fantazisti argjentinas Eric Lamela, ndërsa baraspesha erdhi në minutën e 57’ kur kolumbiani Sanchez shënoi sërish në portën e Everton.

“Toffees” rigjetën edhe një herë avantazhin, pasi braziliani Richarlisson shënoi golin e dytë personal e të katërtin për skuadrën e Evertonit, por miqtë nga Londra barazuan 7 minuta para fundit me anë të kapitenit Harry Kane, duke bërë që koha e rregullt të mbyllej në barazimin “e çmendur” 4-4.

Për të përcaktuar skuadrën që do të vijonte më tej në fazën çerekfinale, u desh të luhej shtesa prej 30 minutash dhe në minutën e 97’ ishte fantazisti brazilian Bernard që shënoi golin e 5-të për Evertonin, pas një pasimi të saktë të Richarlisson.

Tottenham provoi deri në fund për të gjetur golin e barazimit, që do të çonte ndeshjen drejt penalltive, por nuk ia doli të dërgojë më topin në rrjetë dhe i dha fund aventurës në FA Cup, pikërisht në fazën e 1/8-ave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA