Presidenti i SHBA-së Joe Biden njoftoi se kanë marrë vendim për sanksione kundër ushtarëve që organizuan grushtin e shtetit kundër qeverisë civile në Mianmar, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratën për mediat në Shtëpinë e Bardhë, Biden njoftoi vendimet e administratës së tij kundër grushtit të shtetit në Mianmar.
Biden edhe një herë dënoi grushtin e shtetit dhe u bëri thirrje udhëheqësve ushtarakë që “të lirojnë udhëheqësit civilë”.
Ai po ashtu tha se këtë çështje e kanë aktualizuar edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe gjithashtu e kanë diskutuar me aleatët ndërkombëtarë.
“Ushtria duhet ta rikthejë menjëherë pushtetin e marrë (nëpërmjet grushtit të shtetit), t’i lirojë liderët politikë të zgjedhur në mënyrë demokratike dhe aktivistët dhe të respektojë vullnetin e popullit të Birmanisë”, deklaroi Biden, duke njoftuar vendosjen e sanksioneve ndaj puçistëve “deri në kthimin e demokracisë”.
“Sot po ndërmarrim hapa për t’u treguar udhëheqësve të grushtit të shtetit pasojat e asaj që ata bënë. Unë miratova dekretin presidencial që vendos sanksione të menjëhershme ndaj udhëheqësve ushtarakë që kryen grushtin e shtetit, partnerëve të tyre të biznesit dhe anëtarëve të familjeve të tyre”, tha presidenti amerikan.
Biden theksoi se gjithashtu do të vendosin sanksione ekonomike ndaj qeverisë së Mianmarit, duke përjashtuar ndihmat shëndetësore, shoqërinë civile dhe mbështetjet e ngjashme shoqërore, në përputhje me nevojat e popullit të Mianmarit.
Puçi ushtarak në Mianmar
Ushtria e Mianmarit, pas pretendimeve për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020, mori pushtetin më 1 shkurt dhe shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit.
Më pas u arrestuan presidenti Win Myint dhe ministrja e Jashtme, njëherësh liderja e vendit, Aung San Suu Kyi, si dhe figura të tjera kryesore të partisë në pushtet Lidhja Kombëtare për Demokraci (NLD).
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Min Aung Hlaing, i cili mori administrimin e vendit, premtoi rikthim në zgjedhje demokratike pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, ndërsa liderja Aung San Suu Kyi i bëri thirrje vendit për të protestuar kundër grushtit të shtetit.
Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shumë vende, duke përfshirë Turqinë, kanë reaguar ashpër ndaj puçit ushtarak.
Kundër grushtit të shtetit në vend filluan protesta më 6 shkurt me kërkesën për kthimin në demokraci, ndërkohë që policia në disa raste ka ndërhyrë ndaj demonstruesve, kurse ushtria ka shpallur shtetrrethim në disa qytete./AA/
Top Channel