Demokratët e sulmuan ashpër ish-Presidentin Donald Trump duke thënë se ai mbolli farën për sulmin vdekjeprurës në Kapitol shumë përpara datës 6 janar, me pretendimet e tij të rreme se zgjedhjet ishin vjedhur.
Në ditën e dytë të gjyqit të ish-presidentit në Senat ata shpërthyen në akuza duke deklaruar se ligjvënësit kanë detyrimin ta konsiderojnë ish-kreun e Shtëpisë së Bardhë përgjegjës për ngjarjen.
Dhoma e Përfaqësuesve e ka akuzuar Trump për nxitje rebelimi, duke inkurajuar mijëra mbështetës për të marshuar drejt Kapitolit, në ditën kur Kongresi ishte mbledhur për të çertifikuar fitoren në zgjedhje të demokratit Joe Biden. Protestuesit sulmuan ndërtesën, duke bërë që ligjvënësit të largoheshin me nxitim dhe duke lënë pesë persona të vdekur, përfshirë një oficer policie. Nëntë ligjvënës demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve, që luajnë rolin e prokurorëve, insistuan se nxitja e rebelimit filloi kohë përpara.
“Trump e kuptoi pranverën e kaluar se ai mund t’i humbiste zgjedhjet e nëntorit dhe filloi të mbjellë farën e zemërimit midis mbështetësve të tij, duke thënë se ai mund të humbte vetëm nëse zgjedhjet vidheshin,” tha ligjvënësi demokrat Joseph Neguse. “Nëse duam të mbrojmë republikën tonë dhe të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri, ai duhet të shpallet fajtor,” tha ligjvënësi.Të martën, Senati votoi që gjyqi të mund të zhvillohej, edhe pse mandati i Trump ka përfunduar në 20 janar.
Top Channel