Barcelona me një këmbë jashtë Kupës së Mbretit. “Blaugranat” u mposhtën 2-0 nga Sevilla në takimin e parë gjysmëfinal dhe tani vetëm një mrekulli në “Camp Nou”, më 3 mars, mund t’i kualifikojë në finalen e madhe. Më shumë mungesa në formacion (tetë lojtarë) për arsye dëmtimesh, Koeman ishte detyruar të vendoste Miguezan në qendër të mbrojtjes, ndërsa Firpon në të djathtë. Në mesfushë e nisi titullar Pedri, kurse treshja Griezmann-Messi-Dembele në sulm.
Pikërisht mbrojtja rezultoi “Thembra e Akilit” të Barcelonës, pasi pësoi dy gola naive. Sidomos i pari, i realizuar nga Kounde në minutën e 25-të ishte “për të vënë duart në kokë”, me mbrojtësin vendës që i kaloi mbrojtësit “blaugrana” sikur të ishin birila para se të mposhtte ter Stegenin.
Në rastin e golit të dytë, të relizuar pak para përfundimit të kohës së rregullt, Barcelona u ndëshkua nga një ish, si Ivan Rakitic, që verën e kaluar doli i tepërt në organikën e “blaugranave”.
Në të paktën tri momente Lionel Messi iu afrua ndjeshëm golit, pot ishte i pafat, veçanërisht në minutën e parë shtesë, kur portieri vendës i mohoi festënn pas ekzekutimit të një goditjeje të lirë.
Tashmë Barcelonën e pret një mision shumë i vështirë në “Camp Nou”, ku duhet të shënojë të paktën tre gola për të siguruar finalen, ndërsa me një sukses 2-0 (edhe pas 120 minutave lojë) gjithçka do të vendosej nga penalltitë.
Top Channel