67% më pak të vdekur në rrugët e vendit tonë, janë regjistruar gjatë vitit 2020, krahasuar me vitin 2010, kjo në raport me numrin e makinave në qarkullim.
Të dhënat e publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit, tregojnë se në vitin 2010, ishin të regjistruara 422 mijë automjete dhe pati 352 viktima.
Teksa në 2020-tën, numri i vdekjeve ra me 171.
Megjithëse, kjo rënie drastike ndodhi gjatë një viti kur vendi ynë qëndroi për disa muaj në karantinë dhe qarkullimi ishte kufizuar. Ndryshe nisi, 2021-shi, ku javët e para regjistruan aksidente të frikshme në rrugë, me disa viktima.
Ndërkaq, në raport me numrin e automjeteve, numri i viktimave të aksidenteve për periudhën 11 vjeçare, ka rënë me 2/3-tat, siç mund të shihet edhe nga grafika.
Sipas të dhënave publike, Shqipëria, vitin e kaluar ka regjistruar vetëm 65 viktima për 1 milionë banorë. Kjo ka bërë që të arrihet edhe objektivi i bashkimit europian, i cili kërkoi përgjysmim të numrit të aksidenteve, krahasuar me vitin 2010.
Numri i ulët i viktimave, përkthehet edhe më rënien e numrit të aksidenteve. Siç mund të shihet nga kjo grafikë, krahasuar me vitin 2013, 2020-ta, regjistroi 841 aksidente më pak.
Sipas Instat, aksidentet rrugore lidhen me një sërë faktorësh si sjellja e drejtuesit të mjetit, kushtet teknike të automjetit, cilësia e rrugëve, kushtet klimatike, apo edhe dendësia e popullsisë.
Top Channel