Një mutacion i ri i koronavirusit i zbuluar në Kent të Anglisë po shihet me shqetësim nga ekspertët britanikë. Ata druhen se ky shtam mund të jetë më i transmetueshëm se të tjerët, e nuk përjashtohet mundësia që të ndërhyjë dhe tek vaksinat.
14 raste janë identifikuar deri tani të këtij variant në Bristol, Katër në Manchester dhe tre të tjera janë të shpërndara. Ndërkohë, është shpallur nën hetim edhe një “mutacion i identifikuar në Liverpul”.
Instituti vendas i shëndetit publik ka regjistruar gjithsej 76 raste me të dy këto variante. Ekspertët besojnë se personat e vaksinuar duhet të jenë normalisht të mbrojtur, dhe nëse preken, të mos arrijnë të sëmuren rëndë. Por kjo nuk i ka fashitur shqetësimet se mutacioni i mbiquajtur E484K –mund ta bëjë vaksinën më pak efikase në frenimin e përhapjes së sëmundjes.
Më herët sakaq, shtypi britanik shkruante se personave që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar shumë shpejt mund t`i kërkohet që t`i nënshtrohen tre testeve të koronavirusit e të karantinohen për 10 ditë. Duke cituar Departamentin e Shëndetësisë, BBC tha se kjo lëvizje duhet t`i krijojë autoriteteve mundësinë që t`i gjurmojnë më mirë rastet e reja.
Top Channel