Manchester City vijon të konfirmohet si skuadra e momentit në Angli, teksa pas 10 fitoresh radhazi në kampionat, që e kanë shkëputur në krye, ia ka dalë të kualifikohet edhe në çerekfinalet e FA Cup.
Pavarësisht lodhjes së akumuluar në ndeshjen ndaj Liverpoolit të dielën pasdite, trajneri Pep Guardiola nuk u kurseu titullarët as sonte ndaj Swansea, ku “citizens” ia dolën të triumfojnë me rezultatin 1-3.
Kyle Walker zhbllokoi sfidën në “Liberty Stadium” në minutën e 30, pas një asisti të marrë nga spanjolli Rodri, ndërsa më pas në fillim të pjesës së dytë ishin Sterling e Gabriel Jesus që shënuan dy herë brenda 3 minutash, duke vulosur kualifikimin.
Nga ana tjetër Swansea shënoi golin e vetëm me anë të sulmuesit 20-vjeçar anglez Morgan Whittaker në minutën e 80’, por “citizens” menaxhuan mirë lojën dhe nuk u dhanë mundësi vendasve të rihapin takimin.
Sfida e radhës e Manchester City-t do të jetë këtë fundjavë në “Etihad Stadium” përballë Tottenhamit, në ndeshjen e vlefshme për javën e 23-të të kampionatit anglez.
Top Channel