Pas Ligës së Kampionëve, Inter i jep lamtumirën një tjetër trofeu, pasi eliminohet në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë nga ana e Juventusit. Zikaltrit provuan me të gjitha mënyrat për të përmbysur humbjen 1-2 në ndeshjen e parë në Milano dhe dominuan ndaj Juventusit në “Allianz Stadium”, por nuk shkuan dot përtej një barazimi pa gola, që u jep bardhezinjve të drejtën të provojnë ngritjen lart të trofeut në finale.
Zikaltrit e nisën menjëherë vrullshëm ndeshjen dhe ishte Lautaro Martinez që pati një mundësi të mirë, por në gjuajtje gjeti këmbën e Bernardeschit dhe pavarësisht pretendimeve për një penallti, arbitri Mariani nuk mendoi kështu.
Më pas ishte Lukaku që shpërdoroi një mundësi të artë shënimi, pasi devijoi jashtë një krosim mjaft të mirë të Eriksen, ndërsa Lautaro me portën e boshatisur bëri një gjuajtje për t’u harruar dhe fitoi vetëm një goditje nga këndi.
Provoi edhe Hakimi po në pjesën e parë, me një zbritje të shpejtë nga krahu, por Alex Sandro e ndali para se të futej në zonë, i vetëdijshëm se do të ndëshkohej me karton të verdhë nga arbitri Mariani.
Juventus hyri në lojë vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë, teksa tentoi të vërë në vështirësi Handanovic me anë të Cristiano Ronaldos, por pa arritur të kërcënojë seriozisht kuadratin e portës zikaltër.
Edhe pjesa e dytë nisi mjaft mirë për zikaltrit, që provuan disa herë me zbritje të rrezikshme, por shpesh gabonin në pasimin final apo në finalizim, duke mos arritur të testojnë aftësitë e portierit Gigi Buffon.
Me kalimin e minutave zikaltrit nisën të ndjejnë presionin e kohës, por edhe lodhjen, pasi filluan të lënë shumë hapësira mbrapa dhe Cristiano Ronaldo u shfaq në 2-3 raste përballë Handanovic, por kapiteni zikaltër bëri pritje shpëtimtare.
Minutat e fundit u zhvilluan të gjitha në gjysmëfushën bardhezi, por tentativat e zikaltërve për të dërguar topin në rrjetë, gjenin gjithmonë ndonjë prej fanellave të shumta bardhezi që ishin vendosur para portës së Buffon.
Vërshëllima finale la në fuqi barazimin pa gola, që dërgon Juventusin në finale për herë të 6 në 7 sezonet e fundit, ndërsa Interi i Antonio Contes do të duhet të provojë gjithçka në kampionat, për të mos mbyllur një tjetër vit pa trofe.
Top Channel