Senati amerikan votoi të martën në mbrëmje për t’i hapur rrugën gjyqit të plotë mbi akuzat ndaj ish-presidentit Donald Trump për nxitje rebelimi lidhur me sulmin ndaj Capitol Hill më 6 janar, duke hedhur poshtë një pretendim se procedimi ishte antikushtetues pasi panë videon grafike të sulmit të janarit.
Në seancën e parë për këtë qëllim që do të përcaktonte nëse gjykimi i ish-presidentit ishte kushtetues, 56 anëtarë të Senatit votuan pro, dhe 44 kundër argumentit të demokratëve se procedimi është në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara. Gjashtë senatorë republikanë votuan pro, një më shumë sesa pesë që kishin votuar muajin e kaluar kundër një përpjekjeje republikane për ta bllokuar gjyqin.
Donald Trump bëhet ish-presidenti i parë amerikan që gjykohet në Senat. Avokatët e Trump argumentuan se meqenëse zoti Trump nuk është më në detyrë, Senati nuk ka autoritetin të mbajë një gjyq mbi akuzën e Dhomës së Përfaqësuesve se ai nxiti një rebelim ndërsa ishte në detyrë. Demokratët shpresojnë ta skualifikojnë ish-presidentin Trump nga mbajtja e një posti publik në të ardhmen.
Videoja e paraqitur nga ekipi i nëntë demokratëve të Dhomës së Përfaqësuesve që luajnë rolin e Prokurorit të çështjes kombinonte pamjet e dhunës ndaj Capitol-it më 6 Janar me segmente të fjalimit ndezës të ish-presidentit Trump para mbështetësve të tij disa momente më herët, duke i nxitur ata të “luftonin fort” për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e nëntorit.
Në kontrast të prezantimit emocional të demokratëve, avokatët e ish-presidentit Trump e sulmuan procesin, duke argumentuar se gjyqi ishte një përpjekje antikushtetuese, partiake për t’i mbyllur rrugën të ardhmes politike të Trump, pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Top Channel