Pronari i shtëpisë, Baki Guca ku ndodhi vjedhja e disa ditëve më parë rrëfen momentin e tmerrshëm për “Shqipëria live”.
“Unë erdha nga një fshat, ata kishin ardhur nga ana e detit, po më prisnin mua se nuk qëndron makina në mes të rrugës me drita ndezur. U futën në një rrugicë dhe nuk po i shihja. U futa në shtëpi, ata kanë ardhur direkt pas meje. Hapa derën e shtëpisë, dikush më kapi nga fyti dhe më vuri pistoletën në kokë. ‘Policia’ më tha, u habita, thashë çfarë kam bërë. Pastaj më tha paratë, aty e kuptova që ishte hajdut. Dëgjova gruan dhe çunin që po i torturonin matanë. U përpoqa t’i kthehem, më gjuajti me pistoletë në kokë. Tjetri më vuri automatikun në ballë.
Gruaja ia hoqi maskën njërin prej tyre, ata u inatosën më shumë dhe e kanë përplasur në tokë gruan. Ia zunë frymën dhe e godisnin me shqelma.
Djali doli të shkonte te mami, e morën ata, e ngjitën lart duke kontrolluar, dhomë më dhomë, morën florinjtë e gruas dhe më vonë te vendi ku ishte kasaforta”.
I kanë bërë presion djalit?
“I kanë gjuajtur më automatikun, derisa djali i tha ku është kasaforta. Djali ka hapur derën e ballkonit dhe është hedhur. Iku te një komshi, ne mendonim se na e kishin marrë hajdutët”.
Bakiu thotë se që nga ajo ditë, djali nuk ka fjetur fare dhe ka frikë të rrijë në shtëpi.
Top Channel