Një qytetare që banon në Tiranë tregon se në shtëpinë e tyre ndodhej një femër, bashkëshorti nuk e lejoi të hyjë brenda dhe e goditi.
Shtetësja që ka bërë kallëzimin është me shtetësi serbe dhe kombësi shqiptare. Ajo ishte e martuar prej dy vitesh me person që akuzon dhe së bashku kanë dy vajza binjake 18-muajshe. Konflikti ndodhi në apartamentin pranë bulevardit Gjergj Fishta, ku jetonte çifti.
Denoncuesja rrëfen në polici: “Kam shkuar në shtëpi dhe derën nuk ma hapi njeri, edhe pse kishte njerëz brenda. Kam pritur një orë dhe më pas ka ardhur bashkëshorti im, i kam thënë të ngjitemi te shtëpia të marr rrobat për vajzat dhe më pas do të iki. Por ai nuk pranonte. Jemi ulur në kafe dhe gjatë gjithë kohës komunikonte me mesazhe me dikë.
Shkova lart duke bërtitur, edhe pse burri donte të më pengonte. Kur shkuam para derës, po fliste me një femër që ishte brenda dhe nuk pranonte të hapte derën. Ia hapi derën burrin. Unë tentova të hyja brenda dhe bashkëshorti më përplasi pas murit, vura këmbën te dera që të hyja dhe ajo femra mbylli derën duke më zënë këmbën.
Më pas mora prindërit e burrit në telefon. Kur shkuam bashkë te shtëpia, ata nuk ishin aty. Pastaj erdhi burri e thoshte mos e merr policinë. Kur pa që e njoftuam policinë, mori një thikë buke, erdhi drejt nesh dhe ia drejtoi vetes”.
Denoncuesja shton se burri është përdorues i lëndëve narkotike dhe alkoolit dhe ka përdorur dhe herë të tjera dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj. “Më ka kërkuar lekë, më ka thënë po nuk m’i dhe do të marr vajzën. Kam njoftuar familjen time dhe më morën në Preshevë”, dëshmon ajo.
Ndërsa, i denoncuari i ka mohuar akuzat duke thënë se nuk e ka dhunuar gruan dhe vajzën që kishte futur në shtëpi, e ka vetëm shoqe. “Kemi dy vite të martuar, por 5 muajt e fundit marrëdhënia është ftohur për shkak të marrëdhënies jo korrekte të gruas. Atë e mori familja nga Presheva, nuk jemi takuar më, e kam marrë në telefon për ta pyetur për vajzat”.
Madje rrëfen se gruaja ishte shumë agresive. “Në dhjetor, isha në dhomë dhe njëra nga vajzat po qante shumë i thashë të shkonte ta pushonte, vetë shkova në kuzhinë, ajo vjen më vonë me një shkop druri dhe më godet pas koke, akoma e kam shenjën”.
Në dëshminë e siguruar në Top Channel ka folur vetë vajza, për të cilën nisi konflikti në fjalë: “Unë punoj si operatore në Call Center aty pranë dhe me shtetasin kam shoqëri. Një shoqe me të cilën ndaj qiranë, është infektuar me Covid, dhe ai më ka thënë të rri në shtëpinë e tij. Kam qëndruar aty për disa ditë. Një natë, trokiti dera, ai më tha hape derën se jam me ish-bashkëshorten do marrë rrobat dhe do iki. Unë u bëra gati, i thashë do të iki se nuk dua probleme. Kam shkuar në hotel. Ai erdhi dhe të dy kemi ndenjur në hotel. Nuk kam parë në asnjë moment që të ketë ushtruar dhunë ndaj zonjës”.
Shtetasi, i akuzuar ndodhet në gjendje arresti ndërkohë që prokuroria vijon hetimin për çështjen.
Top Channel