Ekspozita e parë pas pandemisë/ Hapet në galerinë e arteve, i kushtohet artisteve nga Shqipëria dhe Kosova

08/02/2021 19:58

Cili është kontributi që kanë dhënë artistet gra të Shqipërisë, Kosovës, e trevave më gjerë në historinë e artit shqiptar.

Ambicie, apo synime është pikërisht kjo ekspozitë e çelur pas shumë kohësh në Galerinë Kombëtare të Arteve që mbledh një seri punësh të brezave të ndryshëm të artistëve femrave. Na paraqet edhe ato që janë të harruara përpos atyre më bashkëkohore.

Ekspozita shqyrton terrene të reja kritike, duke ri përfytyruar subjektivitetin e grave në historinë e artit.

Adela Demtja: Në këtë ekspozitë sillen për herë të parë dyzet pozicione të artisteve gra në fushën e artit në Shqipëri, Kosovë dhe diasporë. Një mbledhje e tillë nuk është bërë kurrë deri më sot. Të gjitha gjeneratat e artisteve femra, duke filluar nga artistet e para Androniqi dhe Sofia Zengo në Shqipëri dhe Alije Vokshi në Kosovë, deri në ditët e sotme.

Trajektore të ndryshme artistike, duke filluar nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot konsiderohen në këtë ekspozitë, e cila nuk ndjek një rend kronologjik.

Adela Demtja: Disa nga emrat e tjerë janë Lumturi Blloshmi, Violeta Xhaferi, Lirije Buliqi nga Kosova. Merita Selimi, Diana Miziri, e cila nuk jeton më. Pra kemi marë dhe pozicione të cilat janë harruar. Pozicione më të reja Bora Baboci, Flaka Haliti. Është një ngjarje e vecantë për skenën e Tiranës dhe më e bukura është që kjo ekspozitë do shkojë edhe në Kosovë.

Jo të gjitha punimet e zgjedhura rrjedhin nga një kontekst feminist, por disa prej tyre ndërthuren me këtë mendim, duke problematizuar rendin patriarkal.

Top Channel