Një 17-vjeçar thyen këmbën, bllokohet grupi i alpinistëve pranë kufirit me Greqinë

07/02/2021 16:38

Një grup alpinistësh kanë mbetur të bllokuar prej disa orësh në malin e Murganës pranë kufirit me Greqinë.

Top Channel mëson se një prej djemve, i cili është rreth 17 vjeç ka thyer njërën këmbë duke vështirësuar përparimin e grupit. Rreth 20 persona janë nisur mëngjesin e sotëm, por prej disa orësh nuk kanë lëvizur si pasojë e kushteve atmosferike.

Alpinistët njoftojnë se janë ndarë në dy grupe dhe po kërkojnë ndihmën e një helikopteri. Grupi që ka më shumë vështirësi është bllokuar në lartësinë rreth 1200 metra. Të izoluar me të plagosurin janë rreth 10 persona.

Ndërsa drejt zonës po ngjiten efektivë të forcave “Shqiponja” për të bërë të mundur evakuimin e tyre. Mësohet se disa persona që po shoqërojnë të plagosurin kanë filluar të vuajnë nga hipotermia e shkaktuar nga temperaturat e ulëta.

Gazetarja e Top Channel, Kristina Fidhi ka mundur të komunikojë me njërin nga djemtë që ka mbetur i bllokuar me grupin në mal dhe thotë se po e tërheqin të plagosurin me mjete rrethanore përgjatë kreshtës së Murganës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA