Njohës të rrethanave politike në vend po konsiderojnë se qeveria e ardhshme që do të formohet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit duhet të zbatojë marrëveshjen e Uashingtonit, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kjo sipas tyre do të tregonte seriozitetin e vendit karshi aranzhimeve dhe obligimeve ndërkombëtare. Por, vlerësojnë se duhet pritur edhe qëndrimin zyrtar të Administratës Biden karshi kësaj marrëveshje.
Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thotë për KosovaPress se zotimet e Uashingtonit duhet të trajtohen me seriozitet, pasi në të kundërtën, nuk do të dihej si do reflektonte kjo në arenën ndërkombëtare.
“Zakonisht çdo shtet kur futet në aranzhime ndërkombëtare, dakordime, apo zotime siç janë quajtur dakordimet e Uashingtonit, atëherë varet nga ai shtet si dëshiron të reflekton në arenën ndërkombëtare, të tregoj seriozitetin e tij si shtet karshi obligimeve ndërkombëtare që merr. E njëjta gjë është edhe për marrëveshjen e Uashingtonit… Besoj se liderët në Kosovë duhet t’i përgjigjen me seriozitet angazhimeve të tyre, karshi dakordimeve të Uashingtonit, t’i trajtojnë me seriozitet ato zotime që janë marrë dhe të veprohet në këtë drejtim si shtet serioz që përmbush obligimet e saja ndërkombëtare”, thotë ajo.
E zbatim të tërësishëm të kësaj marrëveshje, po kërkon njohësi politik, Ramush Tahiri, i cili thotë se zotimet e Uashingtonit janë të mira për Kosovën dhe duhet të zbatohen në tërësi.
“Kosovës i përket të harmonizohet me politikën e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo që të dalin në opinion me deklarata kuturu dhe deklarata dhe vlerësime. Po i shoh edhe tash që po thonë se nga marrëveshja e Uashingtonit është e vlefshme vetëm kjo njohja nga Izraeli, a përpara e kontestonin edhe këtë njohje. Marrëveshja e Uashingtonit duhet të zbatohet në tërësi, është e mirë për Kosovën. Njerëzit po e kapin vetëm gjysmë segmenti dhe po e kritikojnë”, thotë ai.
Por zbatimi ose jo i marrëveshjes së Uashingtonit, Violeta Hoxholli thotë se varet edhe nga mbështetja që mund të ketë administrata Biden karshi kësaj marrëveshje.
“Se si do ta trajtoj qeveria e re që do të zgjidhet, varet edhe nga mbështetja, apo qasja që do të ketë Uashingtoni karshi kësaj marrëveshje. Ne vetëm kemi marrë sinjalet e para nga administrata Biden se ata mbështesin marrëveshjen që është arritur në 4 shtator në Uashington. Tash duhet të presim cilat do të jenë veprimet e ardhshme nga administrata Biden me këtë marrëveshje.
Ndërsa kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, u shpreh se marrëveshja e Uashingtonit nuk mund të kontestohet.
“Vendimet që i kam marrë unë s’ka kush që i konteston. Ato janë vendime të rëndësisë shtetërore, imagjino nëse do të konstatohet marrëveshja e Uashingtonit ose vendimet që i kam marrë për të vendosur rend dhe ligj…Të gjitha këto janë parulla për fushatë pa asnjë përmbajtje”, shtoi ai ditë më parë për media.
Marrëveshja e Uashingtonit është nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë nën administratën Trump me 4 shtator. Disa prej zotimeve të kësaj marrëveshje ende nuk janë zbatuar, derisa sot presidenti i ri i ShBA-së, Joe Biden i kërkoi njohjen reciproke me Kosovën, homologut të tij serb, Aleksandër Vuçiç.
Top Channel