Kryeministri Rama ndodhet në qarkun e Gjirokastrës, ku prej mëngjesit ka realizuar disa takime por edhe ka dhënë lajmin se Përmeti është zgjedhur për investime në turizëm dhe agroturizëm nga një grup pune i dërguar atje me kërkesë të princit të kurorës të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Intensifikimi investimeve rajonale, ishte krye-tema e bashkëbisedimit të kryeministrit Edi Rama me banorët e Gjirokastrës.
“Ne kemi bërë një marrëveshje me Turqinë për të investuar në mënyrë të konsiderueshme te objektet e trashëgimisë kulturore, ata kanë ndërhyrë në objektet e kultit, ajo që i kam kërkuar prej disa kohësh është që eksperienca e tyre në restaurimin e zonave historike dhe kapacitetet financiare janë në kushtet që të japin një dorë dhe këtu. Kemi rënë dakord për Beratin dhe Gjirokastrën të japin një dorë”, është shprehur kryeministri Rama.
Kryeministri foli edhe për një projekt ambicioz investimesh në Përmet.
“Grupi i ngarkuar nga princi i kurorës për këtë investim ka shprehur interes për të investuar në Përmet. Lidhet me disa faktorë. Kanë bërë një studim të rajoneve të vendit dhe sipas tyre Përmeti është një vend me potencial më të madh të turizmit nga dekada e ardhshme. Nuk bëhet fjalë për të bërë investime që cënojnë peisazhin apo natyrën, duan të investojnë në struktura fermash, ku njerëzit të mund të vijnë të jenë në një zonë rurale dhe të ndërtojnë shtëpi, vila ndonjë hotel të vogël, por të gjitha të lidhura me fermën dhe kultivimin, paketës bujqësore të zonës dhe të gatimit”.
Top Channel