Në terminologjinë ligjore, imigrantët në Shtetet e Bashkuara përshkruhen me termin “alien” – “i huaj”. Ky epitet që shihet si ofendues për imigrantët, pritet që të zëvendësohet së shpejti në tekstet ligjore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Veronica Balderas Iglesias foli me njerëz që nuk shohin problem me këtë term dhe të tjerë që e kundërshtojnë:
“Termi “e huaj” nuk është ofendues kur e dëgjon një individ me shtetësi amerikane, sepse nuk ia kanë idenë se çfarë do të thotë të etiketohesh me atë term, se çfarë beteje duhet të bësh që ta tregosh veten në këtë vend,” thotë Seila Santiago, përfituese e programit DACA që mbron të rinj nga deportimi. Seila Santiago ishte dy vjeçe kur prindërit ikën nga Meksika, duke rendur pas ëndrrës amerikane. Ajo mirëpriti propozimin e Presidentin Biden, i cili i ka kërkuar Kongresit të heqë termin nga ligjet e imigracionit dhe ta zëvendësojë me fjalën “jo-shtetas amerikan” që shihet si term neutral.
“U emocionova shumë pasi përse të më quash “e huaj” kur unë jam pjesë e këtij sistemi. Paguaj taksat, ndihmoj qytetarë amerikanë. Mendoj plotësisht se duhet të ndryshojë diçka, sepse ky term nuk është një fjalë e thjeshtë,” thotë Seila. Kalifornia ndaloi përdorimin e termit në kodin e punësimit në 2015, pasi e konsideron si ofendues. Nju Jorku po analizon ndryshime. “Po e zëvendësojmë termin “i huaj” me termin “jo-shtetas” në çdo dokument ligjor apo zyrtar që del nga strukturat bashkiake. Nuk janë ngritur padi, nuk kemi pasur probleme,” thotë Francisco Moya, anëtar i këshillit bashkiak të Nju Jorkut.
Por në qarqet konservatore amerikane ka rezistencë të fortë. “Ky term është përdorur nga shumë anëtarë të Kongresit. Në fakt, në një opinion të Gjykatës së Lartë kohët e fundit fjala “i huaj pa dokumente” u përdor dhjetëra herë. Nuk e shoh si ofendues, thjesht përshkrues,” thotë Andrew Arthur me Qendrën për Studime mbi Imigracionin. Lora Ries ka punuar për Departamentin e Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së Presidentit Trump, i cili ndezi ndjenjat negative kundër imigrantëve gjatë katër viteve në Shtëpinë e Bardhë.
“Në bazë të ligjit federal, çdo individ që nuk është shtetas është “alien”, ose “i huaj”. Nëse ky individ i huaj ndodhet këtu pa leje, është i paligjshëm. Kaq,” thotë zonja Reis. Ndryshimi i termit nuk ndikon tek zbatimi i ligjit, thonë aktivistët. Por sinjalizon se Amerika mbetet një vend me dyer të hapura. “Ka mënyra ligjore dhe të logjikshme për të ndryshuar terminologjinë dhe për ta bërë funksionale. Fjala “jo-qytetar” do të ishte më dashamirëse dhe do të pasqyronte natyrën e shoqërisë sonë,” thotë jurustja Jenny Seon.
Kjo ka vlerë, thotë koreani Glo Choi, të cilit kohët e fundit i skadoi viza e përkohëshme dhe shpreson se do të ketë një mënyrë për të marrë shtetësinë gjatë administratës së Presidentit Biden. Ai e ndjen personalisht barrën e termit “i huaj”. “Shpresoj që do të ndryshojë perceptimin për imigrantët. Thjesht fakti që ke ardhur nga një vend tjetër, nuk nënkupton që ky nuk është vendi yt, nuk nënkupton që nuk e ke vendin këtu,” thotë zoti Choi.
Nëse realizohet ndryshimi, thotë zoti Choi, ai duhet të pasohet nga ligje për të ndihmuar ata, të cilët ….për shkaqe jashtë kontrollit të tyre, ende nuk kanë dokumente të rregullta në Shtetet e Bashkuara. “Të drejtat e njeriut nuk njohin kufinj. Ideja e të drejtave të njeriut është se je lindur me to. Nuk dua të jem i huaj në shtëpinë time,” thotë zoti Choi./VOA
Top Channel