Kurti në listat zgjedhore… Lëvizja Vetëvendosje kërkon legjitimitet moral

05/02/2021 22:17

Votat për kandidatët e subjekteve politike, të cilët nuk janë certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, nuk do të hyjnë në Formularët e Rezultateve, ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi.

Për rrjedhojë, pavarësisht mundësisë që kandidatët e pa certifikuar mund të marrin numër të caktuar votash, ato nuk do të formalizohen ligjërisht. Kjo do të jetë e vlefshme edhe për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i cili vazhdon të thotë që është kryesues i listës së këtij subjekti politik, si dhe për dy kandidatë tjerë të këtij subjekti, të cilët nuk janë certifikuar nga KQZ-ja.

Moscertifikim të kandidatëve nga ky institucion ka edhe në disa nga subjektet tjera politike, të cilat garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit. Por, Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të ftojë qytetarët që të votojnë Kurtin, duke thënë se kjo është e drejtë e votuesve nëse ata duan të bëjnë këtë dhe se një veprim i tillë nuk e dëmton Lëvizjen Vetëvendosje. Me këtë, vetëvendosje synon të arrijë legjitimitetin moral për liderin e saj Albin Kurti, në mënyrë që të ketë përkrahjen popullore për t’u zgjedhur kryeministër i vendit, në rast se ky subjekt politik i fiton zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

Top Channel