Për 2 netë Interi i Antonio Contes do tëgdhihet i pari. Zikaltrit thyenë tabunë Firence aty ku nuk fitonin që nga 2014-ta në kampionat duke bindur me lojë dhe rezultat për një sukses të pastër 0-2 që e ngjiti Interin përkohësisht në vendin e parë në kuotën e 47 pikëve, 1 më shumë se Milani që luan të dielën ndaj Crotones.
Me Lukakun dhe Hakimin në fushë ndryshe nga sfida ndaj Juventusit në Kupë Interi kishte një marsh më shumë dhe e vuri poshtë Fiorentinën e Prandellit që në fillim. Dragoëski u bë protagonist duke i pritur një “penallti” në lëvizje Barrelas, përpara se mesfushori zikaltër të korigjonte shënjestrën dhe të realizonte një gol spektakolar nga distanca në minutën e 31-të.
Vetëm pak çaste më pas Fiorentina pati dy mundësi të arta me Bonaventuran që u ndal nga traversa për meritë edhe të Handanovic që në vijimin e aksionit ndali edhe predhën e Biraghit.
Në pjesën e dytë dominimi i Interit u shtua me skuadrën e Contes që edhe këtë sfidë e ndoqi nga tribuna pasi ishte i skualifikuar, iu afrua golit të dytë në disa raste deri sa e gjeti atë pas një shpërthimi të Hakimit në minutën e 52-të me marokenin që i serviri Perisic-it një gol të thjeshtë me portën e boshatisur.
Pas 0-2 kishte vetëm një ekip në fushë dhe ai ishte Interi që shpërdoroi pafund me Lukakun, Lautaron, apo edhe Skriniar e Bastonin, ndërkohë që belgut iu anulua edhe një gol për pozicion jashtë loje të Perisic. Një fitore shumë e rëndësishme kjo për zikaltrit të cilët kanë rregulluar edhe mbrojtjen pasi për të 4-ën ndeshje radhazi në Serie A nuk pësuan gol.
Top Channel