Pas vendimit të gjykatave kundër kritikut të Kremlinit Alexej Navalny, politikanët evropianë kanë kritikuar ashpër Rusinë. Qeveria gjermane kumtoi se ky vendim është “shumë larg parimeve të sundimit të ligjit”.
Kancelari austriak Sebastian Kurz e quajti dënimin “të papranueshëm”. Shtetet baltike kërkojnë sanksione të reja kundër Rusisë. E të gjitha vendet kërkojnë lirimin e politikanit opozitar rus. Në këto kushte shefi i diplomacisë së BE, Joseph Borrell tani shkon për vizitë në Moskë (04.02).
Duart e zbrazëta
Udhëtimi i Borrellit në Moskë ishte planifikuar para vendimit kundër Navalnyt. Në fakt, Joseph Borrellit i mungon shkopi për t’i treguar diplomatit të rryer me qëndrime të ngurta Sergei Lavrov se veprimet e fundit të qeverisë së tij mund të kenë pasoja. Ministri i Jashtëm rus, nga ana tjetër, e quan të ekzagjeruar “histerinë perëndimore” për rastin Navalny dhe ankohet për “raportimin e njëanshëm” në mediat perëndimore.
“Është një kohë shumë e keqe”, ankohet Gustav Gressl nga Këshilli për Marrëdhëniet e Jashtme (Council on Foreign Relation) në Berlin. Disa shtete anëtare të BE – duke përfshirë këtu edhe Gjermaninë, Francën dhe Italinë – e kanë detyruar Borrellin të shkojë në Moskë për të shpallur një “bashkëpunim të ri”. “Kaherë flitet se nuk kemi dialog të mjaftueshëm me Rusinë”, e në këtë dialog më së shumti mungon kualiteti. Pa një mesazh të fortë, ky udhëtim është një “Mission Impossible” (“Mision i pamundur”).
Ekzistojnë mjaft opsione: Dikush duhet të kontrollojë më mirë spiunët rusë, t’i deportojë më shpesh ata ose t’i arrestojë, t’i japë fund vrasjeve politike si në Tiergarten të Berlinit dhe, në përgjithësi, ta bëjë jetën më të vështirë për rrjetet e presidentit Vladimir Putin në Evropë. Vetëm atëherë qeveria në Moskë do t’i merrte seriozisht evropianët.
Në listë janë edhe kompani të rreme ruse me mandate spiunazhi, blerje të caktuara të pronave dhe pastrim parash, si dhe disa banka. Nëse ua ndalni qarkullimin atyre, Lavrovi do të vinte vetë në dyert e BE. Por Gressl mendon se shanset janë të pakta: Disa shtete të mëdha anëtare të BE do të duhej të bënin presion të vërtetë. Ndryshe masa të tilla do të dështojnë për shkak të mungesës së unitetit dhe vetos së Qipros ose Hungarisë.
Presioni maksimal
Edhe eurodeputeti ekologjist, Sergey Ladodinsky, mendon ngjashëm: “Ne me të vërtetë duhet të mendojmë për pasuritë dhe vlerat tona” sepse BE duhet të sigurohet se nuk do të “bashkëfinancojë krimet e të drejtave të njeriut”.
Në radhë të parë ekologjistët kërkojnë nga Borrelli të mos shkojë në Moskë me një agjendë pozitive për bashkëpunim. Në vend të kësaj, ai do të duhej të fliste qartë dhe duhet t’u tregojë rusëve se çfarë rrezikojnë nëse rrëshqasin në drejtim të “shtetit të mungesës së drejtësisë”. Ai duhet të kërkojë një takim edhe me Navalny, e nëse kjo dështon, duhet të dërgojë të paktën një mesazh përmes një takimi demonstrues me përfaqësuesit e opozitës në Rusi.
Lagodinsky është kritik ndaj gatishmërisë së fundit të BE-së për të bashkëpunuar me Rusinë në prodhimin e vaksinës Sputnik. “Shpresojmë se nuk do të shkëmbejmë simpati me kundërshtimin e vaksinës.” Ai beson se Gjermania dhe Franca në veçanti duhet të kenë kushte më të ashpra për bashkëpunim me Rusinë.
Anëtari i CDU-së në Bundestag Andreas Nick bën thirrje për “presion maksimal” nga Gjermania dhe Evropa. Duhet të bëhet e qartë se “ka një çmim që duhet paguar për këtë sjellje”. Ai mendon se duhet të bëhet ngrirja e pasurive dhe të ndalohen udhëtimet për persona të caktuar, si sanksione shtesë. “Gjithçka duhet të jetë në tryezë”, thotë Nick, duke përfshirë edhe rishqyrtimin e importit rus të gazit dhe naftës në vlerë prej rreth 30 miliardë dollarë amerikanë në Evropën Qendrore dhe Lindore. “Nëse flasim për ngrirjen e të gjitha importeve të naftës dhe gazit nga Rusia në Perëndim, mund të kemi edhe një dialog serioz me Rusinë”.
Mundësia e bashkëpunimit
“Pas arrestimit dhe gjykimit të Navalny, hapësira politike për bashkëpunim të mirë me Rusinë është zvogëluar edhe më tej,” thotë Nathalie Tocci, ekspert i politikës së jashtme dhe këshilltar i Joseph Borrell. Sidoqoftë, pjesë e kësaj agjende është plani që BE të përfshihet më shumë me shoqërinë civile ruse – dhe ky aspekt tani duhet të ndiqet.
E kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetjen e simpatizantëve të Navalnyt, por të gjithë opozitës. Kur merret parasysh edhe qëndimi i administratës së re të SHBA, e cila po rivendos demokracinë dhe ka vendosur të drejtat e njeriut në plan të parë, BE nuk duhet t’i lejojë vetes të gabojë, por duhet të ndërmarrë masa.
Ndonjë katalog tjetër sanksionesh ende nuk është gati – ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për këtë çështje në fund të shkurtit. Ndërsa takimi i ardhshëm i krerëve të vendeve të BE do të mbahet në fund të marsit. Nathalie Tocci është optimiste se në një periudhë afatmesme, mund të ketë më shumë pika të përbashkëta interesi mes BE dhe Rusisë. “Në një mënyrë të çuditshme, sjellja e Putinit ka ndikuar në unifikimin e qëndrimeve në BE. Katër ose pesë vjet më parë disa vende ende flisnin rreth një partneriteti strategjik me Rusinë. Ky diskutim tani është hequr tërësisht nga rendi i ditës”.
Nga ana tjetër, po rritet uniteti për një qëndrim më të ashpër ndaj Rusisë. “Po a besoj unë se Putini për këtë shkak do të ndryshojë sjelljen apo qëndrimin e tij? Përgjigja e sinqertë është jo. Por a do të thotë kjo se për këtë shkak ne nuk duhet të veprojmë? Mendoj se ne duhet të bëjmë gjënë e duhur, pavarësisht se cili është efekti i menjëhershëm”./DW/
Top Channel