Shou Chen ka shtetësi shqiptare dhe madje thotë se pasaporta shqiptare i ofron më shumë mundësi se ajo kineze.
Në një intervistë për “Shqipëria live”, Ylli tregon më shumë për punën ne Shqipëri por me klientë kinezë. Ai punon si guider me turistët aziatik. “E kam nisur si punë kur isha 18 vjeç dhe në moshën 20-vjeçare kisha grupet e mia. Në Shqipëri vijnë shumë turistë kinezë, dhe kërkohen guida, unë jam i favorizuar sepse di shumë mirë dhe shqip dhe kinezçe”.
23-vjeçari thotë se me pasaportën kineze ka më shumë liri për të lëvizur në Europë. “Me pasaportën kineze ke më shumë kufizime në lëvizje, me shqiptaren është më mirë, unë nuk e kam në fakt nënshtetësinë kineze”.
Prindërit e Yllit kanë ardhur në vendin tonë në vitet ’90. Ai thotë se emrin ia vuri doktoresha, pasi kur lindi tha “o çfarë ylli”. Në fillim ka mësuar gjuhën shqipe dhe më pas atë kinezçe dhe pranon se kjo e fundit është e vështirë.
Me batutë tregon momentet kur i flasin anglisht pasi nuk e dinë që ai e kupton se flet shumë mirë gjuhën shqipe. “Ka raste që hedhin batuta dhe unë bëj sikur nuk kuptoj shqip dhe pastaj kur ia kthej habiten. Në lokale po ashtu më flasin anglisht”.
Në shoqëri thotë se nuk ka ndjerë asnjëherë paragjykime, por pas fillimit të pandemisë thotë se shqiptarët sillen më ftohtë me të ardhur nga kontinenti aziatik. “Tani, pas virusit ka pasur paragjykime, vendasit sillen më të ftohtë, mbajnë më shumë distancë. Megjithatë, shqiptarët janë mikpritës”.
Ai ka vizituar shumë qytete nga veriu në jug për shkak të punës që bën dhe dallon “Thethin në veri dhe Rivierën e jugut, Berati dhe Gjirokastra për pjesën kulturore dhe historinë”.
Po ashtu tregon çfarë mendojnë turistët kinezë kur vijnë në Shqipëri: “Ndihen më ngrohtë këtu se në shtetet e tjera. Beratin, Krujën e duan gjithmonë, zakonisht pëlqejnë zona që kanë kala. Të dyja shtetet kanë kaluar komunizëm dhe kanë të përbashkëta që turistët i dallojnë”.
Top Channel