Vendimi i Universitetit të Tiranës për zhvillimin e provimeve online, studentët: Kanë nisur kërkesat për bojkot

03/02/2021 11:58

Studentët e Universitetit të Tiranës duhet të krijojnë kushtet e nevojshme për tu testuar në shtëpi për semestrin e parë të vitit pasi provimet nuk do të zhvillohen në auditore për shkak të shifrave të larta të të infektuarve me Covid-19.

Të ftuar në “Wake Up”, studentët Gentjana Lala, Gëzim Hila dhe Rigels Xhemollari thanë se kanë dorëzuar një peticion me 10 mijë firma pranë Komitetit Teknik të Ekspertëve për hapjen e auditorëve.

Edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve ende nuk ka vendosur nëse studentët do të rikthehen në auditore apo jo për provimet e semestrit të parë, Universiteti i Tiranës pas mbledhjes së rektoratit mori vendimin që ato të zhvillohen online.

Gentjana Lala: Në gjykimin tim është vendimmarrje ineficente dhe tani është dorëzuar një peticion me mbi 10 mijë firma pranë Komiteti Teknik dhe instancave përkatëse për hapjen e auditorëve për zhvillimin e mësimit dhe provimit. Mbi 40% e studentëve nuk kanë pasur akses gjatë mësimit online, në zona të ndryshme të Shqipërisë nuk ka linja telefonike, le më akses në internet.

Gëzim Hila: Provimi online në mendimin tim do përgatitje qoftë infrastrukturore, qoftë metodologjike. Studentët janë mësuar që provimet ti bëjnë me një ese, me provime alternative nëpërmjet një praktike dhe mënyrave të të bërit provim fizikisht. Mënyra online nuk e di pasi vendimi i rektoratit nuk shoqërohej me një mënyrë se si do të zhvillohej, vetëm nëse e përshtatin provimin candy crush pasi 77.5% e studentëve mësojnë online nga celulari. Si do të bëjnë provim online nga celulari.  

E pyetur nëse është në dijeni të ndonjë vendimi për të bojkotuar provimet online, Lala tha se i kanë ardhur kërkesa të ndryshme në email teksa stuentët e tjerë i kërkojnë mos marrin pjesë në provime online në mënyrë që të kthehen në auditore.

Gentjana Lala: Duke qenë pjesë e fakultetit, shkëmbejmë email-e të ndryshme dhe në grupin tim të seminarit kanë ardhur email-e nga grupe të tjera për një kërkesë për të bërë bojkot të provimeve online dhe nëse nuk pranohet, minimalisht të rikthehemi në auditor për të vijuar provimet. Unë konkretisht do flas për degën time të Financës në vitin e dytë dhe lënda kontabilitet, hyrje në modelim financiar apo statistika është e pamundur të zhvillohen online sepse 90% e lëndës është e bazuar në ushtrime, çka do të thotë se je i përkushtuar vetëm në ushtrime. Në rregulloren e Fakultetit të Ekonomisë thuhet se gjatë zhvillimit të provimeve, kamera do të jetë e fokusuar mbi fletën e provimit. Kjo ka një paradoks sepse ku do të lexojë studenti. Ose do të ulë kamerën ose të lexojë pyetjen, pra ka një inkoherencë provimesh.

Top Channel