Sukses historik/ ​Filmi kosovar “Zgjoi” rrëmben tre trofe në festivalin e madh amerikan

03/02/2021 14:17

Tashmë, filmi i Blerta Bashollit, “Hive” ka shënuar sukses të jashtëzakonshëm në festivalin më të madh të filmit në Amerikë.

Projekti kinematografik që në rol kryesor ka Yllka Gashin, ka rrëmbyer tre çmime. Në garën e kinemasë dramatike botërore, “Zgjoi” është shpërblyer me çmimin e madh të jurisë, çmimin e publikut e çmimin e regjisorit më të mirë.

Ambasada e Francës në Kosovës ka uruar regjisoren Basholli. Në urimin e ambasadës thuhet se punë e saj është frymëzuar nga një realitet.

“Urime regjisores kosovare Blerta Basholli! Me filmin e saj të metrazhit të gjatë  “Zgjoi”, ajo hyri në historinë e kinemasë kosovare . Në të vërtetë, nuk është vetëm një vlerësim fitues i çmimeve, por tre çmimet kryesore të Festivalit të Filmit Sundance që Blerta Basholli ka arritur, përkatësisht: “Filmi më i mirë”, “Regjia më e mirë” dhe së fundmi “Çmimi i Publikut”. Ju rikujtojmë se Festivali i Filmit Sundance është festivali më i madh i filmit të pavarur në Shtetet e Bashkuara! Puna e saj është frymëzuar nga një realitet: Jeta e një gruaje që jeton në Krushën e Madhe, në kërkim të burrit të saj që u zhduk gjatë luftës në Kosovë. Ajo krijon një biznes bujqësor dhe, në fakt, siguron mbijetesën e familjes së saj. Megjithatë, asgjë nuk është e lehtë në një mjedis tradicionalisht patriarkal, ku ambicia e një gruaje nuk shihet gjithmonë me sy të mirë. Një temë për vëmendje e cila do të mund t’i përkiste shumë shoqërive”, shkruhet në urimin e ambasadës.

Top Channel