Meta, Rama e Basha në presidencë/ Mbledhja e Këshillit të Sigurisë për stërvitjen më të madhe ushtarake të 26 vendeve të NATO

03/02/2021 19:49

Pavarësisht debateve dhe përplasjeve publike, Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i PD-se Lulzim Basha u ulën përballë njëri-tjetrit në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare qe u mblodh pasditen e se mërkurës në Presidencë.

Ata diskutuan mbi masat përgatitore në lidhje me fazën përmbyllëse të stërvitjes me trupa, të koduar ”Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajonin tonë, përfshirë Shqipërinë, nga data 1 maj deri më 14 qershor. Në takimin me zyrtarët më të lartë dhe drejtuesit e agjencive ligjzbatuese e të sigurisë në vend ishte edhe Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Yuri Kim.

Stërvitja me trupa “Defender Europe 21” drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Për nga numri i pjesëmarrjes së trupave ajo është stërvitja më e madhe në të cilën përfshihen edhe trupat e Forcave tona të Armatosura. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë 26 vende aleate dhe ”Defender Europe 21” do të shtrihet në disa vende të rajonit.

“NATO dhe partneriteti strategjik me SHBA janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni europian i Shqiptarëve”, tha Presidenti Meta, sipas te cilit kjo stërvitje do te kontribuoje në forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë.

Top Channel